Një moment i pakëndshëm gjatë koncertit të fundit të Dua Lipës në Los Angeles ka bërë xhiron e internetit dhe ka hapur debat të madh në rrjete sociale.
Në një video që është bërë virale për pak orë, ylli shqiptar i muzikës pop shihet duke iu afruar fansave për t’i përshëndetur dhe për të bërë foto, kur papritur një burrë shfrytëzon momentin për ta prekur në mënyrë të papërshtatshme.
“Faleminderit që jeni këtu,” dëgjohet Dua teksa përqafoi burrin, por pamjet tregojnë qartë se ai fillimisht i vendos dorën në shpinë, më pas e lëviz më poshtë – në vithe.
Reagimi i rojeve të sigurisë ishte i menjëhershëm. Ata ndërhynë për ta larguar dorën dhe për ta mbrojtur këngëtaren, ndërsa publiku u shokua nga ajo që ndodhi.
Videoja u publikua në platformën X (ish-Twitter), ku përdoruesja që e postoi shkroi:
Kjo më acaron shumë… Dua po përpiqet t’u afrohet fansave të saj dhe disa njerëz e keqpërdorin këtë në mënyrën më të ulët të mundshme. I urrej njerëz të tillë.”
Ngjarja ka ndezur reagime të forta, me shumë ndjekës që kërkojnë më shumë masa sigurie për artistët gjatë performancave. Për shumë prej tyre, kjo është një dëshmi e qartë e mungesës së respektit ndaj kufijve personalë, edhe kur bëhet fjalë për figura publike.
Ky incident ka hapur sërish diskutimin për etikën e sjelljes ndaj artistëve në koncerte – dhe si disa njerëz harrojnë se “afërsia me idhullin” nuk është justifikim për mungesë respekti.








