Sopranoja e famshme ruse, Anna Netrebko, nuk do të performojë më në “Metropolitan Opera” në New York këtë sezon apo sezonin e ardhshëm, pasi ajo refuzoi të distancohej publikisht nga presidenti rus Vladimir Putin.
“Është një humbje e madhe artistike për Met dhe për operën. Anna është një nga këngëtaret më të mëdha në historinë e Met, por me Putinin që vrau viktima të pafajshme në Ukrainë, nuk kishte rrugëdalje”, tha menaxheri i përgjithshëm i kompanisë, Peter Gelb, në një deklaratë për CNN.
Netrebko ishte planifikuar të performonte në “Turandot” të Puccinit këtë pranverë, si dhe “Don Carlo” të Verdit sezonin e ardhshëm.
Gjithsesi, sopranoja ukrainase, Liudmyla Monastyrska, do ta zëvendësojë atë në “Turandot” dhe zëvendësimi i saj në “Don Carlo” do të shpallet në një datë të mëvonshme.
Netrebko në Instagram u shpreh se ishte “kundër kësaj lufte” me Ukrainën, por pa mbajtur anën kundër liderëve të vendit të saj apo duke u solidarizuar qartë me ukrainasit./revistawho.com