Fotot: Edvina Meta
Suada Sherifi në një rrëfim për dashurinë, që e ka bërë të ndihet më e sigurtë, më me këmbë në tokë… Një bisedë për djalin që e ka bërë të vrapojë e të mos rrëzohet kurrë. Një intervistë që nis me mungesën në ekran, e që përfundon me planet për martesë. Një kopertinë kushtuar ndjenjës më të bukur, që i bën të gjithë për vete… Planet e bukuroshes me kurorë, për të ardhmen si avokate dhe formati i ri që do të sjellë në “Youtube”. Suada Sherifi, përgjigjet për gjithçka, ekskluzivisht në ‘revistawho.com’.
Suada u bë kohë që nuk të shohim më në ekranin e vogël. Pse kjo shkëputje nga televizioni?
Në fakt ekrani më ka munguar, por mesa duket nuk i kam munguar unë ekranit, për sa kohë nuk më është propozuar ndonjë projekt serioz në këtë fushë (qesh). Përtej shakave, të jem e sinqertë jam shumë më komode si e ftuar sesa si moderatore, jo sepse kam ndonjë pasiguri, absolutisht, sepse tashmë të gjithë mund të prezantojnë falë promterave, kufjeve të lidhura me regjinë, skaletes dhe natyrisht punës në prova, për të mos folur për rastet kur programi është me regjistrim që mund të bëhen edhe modifikime. Ndihem më komode, sepse do më sforconte. Sot për sot puna ime e vërtet janë akoma studimet. Sa i përket ekranit, e vërteta është që mua ekrani më ka dashur gjithmonë, edhe unë e kam dashur ekranin, por dashuritë më të mëdha bëhen gjithmonë të pamundura. Prandaj dhe do të shfaqem në Youtube, duke ju treguar vazjave sekretet e mia të bukurisë, ‘make-up tutorial’ e gjithçka ju intereson femrave.
Të mungon shfaqja në ekran?
Shfaqem në ekran, sepse dyert i kam të hapura ndaj sa herë marr ftesa për të folur në panele të ndryshme, për të cilat unë kam konsideratë dal me kënaqësi. Më ka ardhur keq që kam refuzuar e kushtëzuar nga një dëmtim që më detyroi të heq dorë edhe nga sporti – dashuria ime më e madhe – një kompeticion kërcimi. Ekrani nuk është një botë e paarritshme, e paprekshme për mua. Unë jam shfaqur aty ku kam menduar se ia vlen më shumë.
Me çfarë je marrë këto kohë?
Këto kohë kam punuar si asistent avokate në një zyrë avokatie shumë prestigjoze në Tiranë. Me krenari them që kam marr liçensën e avokatisë, sepse provimi këtë vit ishte një bombë, por aspiroj më tej në fushën e drejtësisë ndaj tani kam ndërprerë punën, për t’u fokusuar sërish mbi studimet.
Si i fiton Suada të ardhurat?
Unë jam një menaxhuese e shkëlqyer parash. Marrëdhënia ime e parë me punën ka filluar në moshën 11-vjeçare kur unë luaja me ekipin e parë të Flamurtarit. Në atë kohë, unë kisha librezën time të bankës (derrkucin tim ngjyrë blu). Kam qenë një lojtare me peshë në të gjitha grupmoshat ku jam përfaqësuar ndaj dhe vlerësimet financiare për mua kanë qenë maksimale, jo vetëm nga klubi ku unë kam luajtuar, por edhe nga Federata e Basketbollit, që më ka mbështetur për vite të tëra si talenti më i mirë i Shqipërisë. Unë kam luajtur basketboll për 16 vjet, absolutisht nuk jam bërë e pasur, por mbështetja e familjes për gjërat më me vlerë si shkolla, makina, shtëpia nuk më ka munguar, ndaj dhe kam pasur gjithmonë mundësi të kursej. Sakaq, përveç sportit unë jam bërë imazh i kompanive të ndryshme, kam pasur projekte televizive, pra unë asnjëherë nuk kam fjetur gjumë dhe kam pasur mundësi të kursej. Unë kam gjendje në llogaritë e mia, se unë deri dje jetoja me familjen me 0 detyrime e sot bashkëjetoj me të fejuarin, përsëri 0 detyrime.
Por për t’i shpenzuar, për çfarë i harxhon zakonisht?
Si të gjithë, për gjërat më të domosdoshme… Nuk më pëlqen të shpenzoj para për gjëra të tepërta, më ka hyrë në gjak kursimi tani.
A je ti e fiksuar pas shopping-ut?
Ne femrat nuk ngopemi kurrë dhe prandaj sot industria e modës është një nga bizneset më të fuqishme. Unë bëj blerje të zgjuara dhe të përllogaritura, kurrë nuk blej gjëra të ngjashme me ato që kam, jam një blerëse shumë e vështirë e shpesh të fejuarit tim i ngrihen nervat, sepse shkoj 10 herë për ta parë në ia vlen apo jo. Plus që s’e kam pasur kurrë babëzinë për rroba, sepse sado që të kem, me shumë pak prej tyre dashurohem dhe kur futet dashuria në mes ka gjithmonë jetëgjatësi.
Si e kalon zakonisht ditën?
Ditët e mia janë të zakonshme, gjë të cilën e thyej me ndonjë fotosesion apo ndonjë aktivitet tjetër. Nuk para dal shumë kafeneve, sepse kam marrë përsipër një sfidë të madhe me studimet dhe jam e qetë për t’u fokusuar aty ndaj dhe nuk kam marrë përsipër të bëj diçka tjetër momentalisht.
Po mbrëmjet ku të gjejnë?
Mbrëmjet zakonisht më gjejnë në shtëpi, por kjo varet sepse fundjavave dal (se dhe unë s’do ia jap shpirtin shejtanit).
Kemi ndjekur aktivitetin tënd në rrjetet sociale dhe kemi parë ndryshime… Kush është fatlumi në foto me ty?
Fatlumi, Lumi shkurt, është një djalë tek i cili unë kam gjetur gjysmën time më të mirë në të gjitha aspektet. Ne jemi fiks një moshë, por ai më bën të ndihem shumë më e vogël. Qetësia, maturia, intelekti dhe formimi i tij në përgjithësi më bëjnë të ndihem e sigurtë. Unë jam shumë euforike, ekspresive dhe spontane, ai është ekuilibri im, nuk më lë kurrë të rrëzohem.
Si jeni njohur? Prej sa kohësh jeni bashkë?
Të gjitha historitë e njohjes janë shumë të bukura, por e jona është e preferuara ime. Është shumë histori e gjatë, ndaj po e lë për një herë tjetër. Ne kemi një vit bashkë, por morëm vendime serioze që në hapat e parë. Të dy kishim dëshirën e mirë për të ndërtuar një histori mbi baza të forta, ndaj dhe futëm familjet në mes, gjë për të cilën jam shumë e lumtur.
Projekte e tua për të ardhmen cilat janë?
Përveç investimit tim në profesion nuk kam asnjë projekt konkret. Ide dhe dëshira kam shumë.
A ke në plan të rikthehesh në televizion?
Televizioni gjithmonë më ka mirëpritur, por duhet të takoj njerëzit e duhur, në vendin e duhur dhe në kohën e duhur.
Po ndonjë plan për dasëm ka?
Ne jemi duke bashkëjetuar dhe mendoj se ky është një hap i madh drejt martesës… Por ende nuk e di se kur do të më ulet në gjunjë.