Pas më shumë se një dekade nga bashkëpunimi i tyre në serialin ikonik Sulejmani i Madhërishëm, aktorët Halit Ergenç dhe Meryem Uzerli pritet të rikthehen sërish përkrah njëri-tjetri, këtë herë në një projekt filmik.
Dy yjet, të cilët fituan famë ndërkombëtare falë rolit të tyre në një nga prodhimet më të suksesshme televizive turke, kanë marrë vazhdimisht oferta për të bashkëpunuar sërish ndër vite. Tani, producenti Emre Oskay nga kompania Sky Films ka arritur t’i ribashkojë për një projekt të ri ambicioz.
Filmi, i titulluar Spring in Imroz (“Pranverë në Imroz”), do të drejtohet nga regjisori i njohur Özcan Alper, i vlerësuar për veprat e tij si Lovers’ Festival, Early Winter, Dark Night dhe Autumn.
“Pranvera në Imroz” sjell historinë e dy personave me jetë krejt të ndryshme, rrugët e të cilëve kryqëzohen në ishull, duke u përballur me mundësinë e një fillimi të ri dhe duke shtruar pyetjen: a mund të rilindë dashuria në një pranverë të dytë?
Xhirimet pritet të nisin së shpejti, ndërsa ende nuk është bërë e ditur platforma digjitale në Turqi ku filmi do të ketë premierën.








