Nga Kazakistani në Kosovë, nga pasarelat te biznesi dhe krijimtaria personale, Ainura Yementayeva, Rrushe Zyba dhe Ilire Pelaj përfaqësojnë fuqinë, guximin dhe elegancën e brezit të ri të modës. Secila prej tyre ka ndërtuar rrugën e saj, Ainura me fitoren në “Supernova” dhe hapjen drejt skenës ndërkombëtare, Rrushe me ekuilibrin mes modelingut, marketingut dhe pasurive të paluajtshme, dhe Ilire me pasionin për kamerën e modën, duke sjellë brandin e saj të veçantë. Një kapitull i ri po shkruhet, dhe tri vajzat janë fytyra e ardhshme e modës.

Ajo quhet Ainura Yementayeva dhe është nga Kazakistani. Ka përfunduar shkollën në “Nazarbayev Intellectual School” në Kokshetau, ku shumica pritet të ndjekin shkencat ose teknologjinë. Prandaj për shumëkënd ishte surprizë kur pasioni i saj për modën u shndërrua në karrierë.
Një fakt interesant për Ainurin: dikur shmangte fotot dhe fotografinë e parë në Instagram e ka postuar vetëm në verën e vitit 2019. Vetëm dy muaj më vonë u shpërngul në Lituani për studime, dhe jeta i ndryshoi tërësisht. Rrugëtimi në modeling nisi me fotosesione kreative dhe që nga ajo kohë ka punuar në Lituani, Itali, Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri. Ky vit ishte viti i saj, pasi u shpall fituese e spektaklit televiziv të modelingut “Supernova”, një arritje që hapi një kapitull të ri në karrierën e saj.
1. Çfarë sfidash ke hasur duke ardhur nga një shkollë që fokusohej kryesisht në shkencë e teknologji, për të ndërtuar një karrierë në modë dhe modeling?
Sfidën më të madhe për mua e përbënte keqkuptimi nga familja, e cila e shihte modën si një hobi dhe jo si karrierë. Gjithashtu, ndërkohë që shumica e njerëzve ktheheshin në shtëpi pas studimeve jashtë vendit, unë zgjodha të qëndroj dhe madje të ndryshoj shtet për të ndjekur pasionin tim.

2. Si ka ndikuar formimi yt në marketing në mënyrën se si menaxhon imazhin dhe përmbajtjen tënde në Instagram?
Me një diplomë në Administrim Biznesi që përfshinte marketingun dhe me përvojën time si menaxhere e rrjeteve sociale, mësova të zbatoja teorinë dhe praktikën. Në Instagram jam perfeksioniste, dikur nuk postoja foto nëse nuk përshtateshin me estetikën time vizuale, por tani e di paraprakisht se çfarë do të kombinohet më mirë me çfarë.

3. Pas fitores në Supernova dhe kontratës me Daman Management, cilat janë objektivat e tua më të mëdha për të ardhmen në industrinë e modës?
Para se të nënshkruaja me një agjenci, pata nderin të isha në kopertinën e tri revistave të njohura të modës si modele freelancer, përfshirë një për “Glamour” në Milano. Tani, me mbështetjen e “Daman Management”, objektivat e mia janë të jem në kopertinën e “Vogue” dhe të punoj me markat e mëdha të modës së lartë, përfshirë edhe couture.

Rrushe Zyba, 28 vjeçe nga Suhareka, e ka nisur rrugëtimin e saj në modeling që në moshë të vogël, duke kultivuar një pasion që e ka shoqëruar gjithmonë, kudo. Ajo ka marrë pjesë në sfilata të shumta, si dhe ka realizuar fotosesione me emra të spikatur të fotografisë. Përtej modelingut, Rrushja ka ndërtuar një karrierë në fushën e marketingut, duke bashkëpunuar me kompani të ndryshme në Kosovë. Aktualisht, ajo është e angazhuar në sektorin e pasurive të paluajtshme, një fushë sfiduese që për të është njëkohësisht burim motivimi dhe kënaqësie. Krenare për rrugëtimin e saj deri më tani, Rrushja pret me padurim sfidat e reja në jetë.
1. Si ka ndikuar fillimi yt i hershëm në modeling në rrugëtimin dhe mundësitë që ke sot?
Fillimi im i hershëm në modeling më ka ndihmuar shumë për të ndërtuar vetëbesimin, disiplinën dhe ndjeshmërinë ndaj paraqitjes vizuale, që janë të vlefshme në çdo fushë. Kam mësuar të punoj me njerëz të ndryshëm, të përshtatem shpejt dhe të jem e qëndrueshme në presion. Këto përvoja më kanë hapur shumë dyer, sidomos në marketing dhe më vonë në pasuri të paluajtshme, ku prezantimi dhe ndërtimi i marrëdhënieve janë çelës i suksesit.

2. Të balancosh modelingun, marketingun dhe pasuritë e paluajtshme nuk është e lehtë; si arrin të qëndrosh e motivuar dhe t’i menaxhosh të gjitha këto role?
Çelësi për mua është organizimi dhe pasioni. Kam mësuar të vendos prioritete dhe të menaxhoj kohën me kujdes. Gjithashtu, e dua atë që bëj, modelingu më jep krijimtari, marketingu më sfidon strategjikisht, dhe pasuritë e paluajtshme më japin mundësinë të ndërtoj diçka të qëndrueshme. Kur je i lidhur me qëllimin tënd, motivimi vjen natyrshëm, edhe kur ka vështirësi.

Ilire Pelaj, 21 vjeçe, është një fotomodele dhe fashion designer e ardhshme. Rrugëtimin e saj në modeling e nisi që në moshën 14-vjeçare, duke e ushqyer me pasion çdo ditë. Për të, kamera është çelësi i zemrës, vendi ku ndihet më rehat dhe më autentike. Paralelisht me modelingun, Ilire ka nisur edhe brandin e saj personal, përmes të cilit sjell krijime që synojnë t’i bëjnë vajzat të ndihen të bukura dhe të fuqishme.
1. Çfarë të ka shtyrë të nisësh karrierën në modeling që në moshë kaq të re, dhe si ka ndikuar kjo në rrugëtimin tënd personal e profesional?
Pasioni për modelingun më shoqëroi që e vogël. E nisa herët këtë rrugëtim dhe kuptova shpejt se nuk është aq e lehtë sa duket. Por sfidat më kanë bërë më të fortë dhe më të vendosur, duke më formuar si person dhe si profesioniste.

2. Si lindi ideja për të krijuar brandin tënd të modës dhe çfarë mesazhi dëshiron t’u përcjellësh vajzave përmes tij?
Moda ka qenë gjithmonë pjesë e imja. Që fëmijë e shihja si një mënyrë shprehjeje dhe kjo më shtyu të ndjek studimet në dizajn mode. Krijimi i brandit tim ishte një hap i natyrshëm, një mundësi për të ndarë vizionin tim dhe për t’i frymëzuar vajzat të ndihen unike e të sigurta në stilin e tyre.
3. Çfarë synimesh të tjera ke për të ardhmen në botën e modës dhe dizajnit?
Synimi im është të krijoj veshje që bëjnë njerëzit të ndihen mirë dhe rehat. Për mua moda nuk është vetëm estetikë, por një mënyrë për të përcjellë mesazhe dhe emocione.








