Lidhja mes Timothée Chalamet dhe Kylie Jenner ka qenë prej kohësh në qendër të vëmendjes së mediave dhe publikut, duke nxitur spekulime të shumta mbi statusin e marrëdhënies së tyre. Tashmë, aktori i njohur duket se ka vendosur t’u japë fund çdo dyshimi, duke e konfirmuar publikisht lidhjen gjatë një prej momenteve më të rëndësishme të karrierës së tij.
Gjatë ceremonisë së 31-të të Critics Choice Awards, e mbajtur më 4 janar në Santa Monica, Chalamet u shpall fitues i çmimit për Aktorin më të Mirë për rolin e tij në filmin “Marty Supreme”. Teksa mbante fjalimin e pranimit, ai surprizoi publikun duke folur për herë të parë hapur për jetën e tij personale.
“Së fundmi, dua të falënderoj partneren time prej tre vjetësh”, u shpreh aktori para të pranishmëve, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e mediave dhe rrjeteve sociale.
Chalamet, 30 vjeç, i cili kishte konkurruar në një kategori të fortë përkrah emrave të mëdhenj si Leonardo DiCaprio, Joel Edgerton, Ethan Hawke, Michael B. Jordan dhe Wagner Moura, e vijoi fjalimin me një deklaratë edhe më emocionale:
“Të dua. Nuk do të mund ta arrija këtë pa ty”.
Reagimi nga publiku ishte i menjëhershëm. Kylie Jenner, e pranishme në sallë, iu përgjigj aktorit me fjalët “Të dua”, duke shkaktuar duartrokitje dhe emocione mes të ftuarve.
Ky moment shënon herën e parë që Timothée Chalamet flet hapur për lidhjen e tij me Kylie Jenner, duke e kthyer ceremoninë jo vetëm në një sukses profesional, por edhe në një çast të veçantë personal.








