Familja Hoxha ka organizuar mbrëmjen e djeshme, festën e përvitshme të “Top Channel” e cila gjithashtu përkonte me ditëlindjen e të ndjerit, vizionarit të medias, Dritan Hoxha. Pavarësisht viteve të kaluara, humbja e një prej njerëzve më të zgjuar dhe të vlerësuar duket se ende ndikon jo vetëm tek njerëzit që e admironin për atë që ishte, por pa dyshim edhe tek familja e tij. Vajza e tij më e madhe, Lori Hoxha ka qenë ajo që ka folur më shpesh për të atin e saj si në televizion ashtu edhe në rrjetet sociale. Pikërisht për këtë fakt, shumë njerëz prisnin një reagim prej saj me anë të një postimi apo urimi për të në “Instagram”. Madje një prej ndjekësve ia ka vënë në dukje me anë të një komenti ku shkruan: “Do ishte më e bukur se çdo bukuri në këtë botë e nuk do kishte çmim që të paguhej, një dedikim për atë të cilin jemi të gjithë mirënjohës, Tanin. Duhet ta bëje në ditëlindjen e tij në 16 Tetor”. Lori duket se është ndjerë keq prandaj këtij komenti i ka dedikuar një shkrim ku e shpjegon arsyen pse se ka bërë një veprim të tillë. “Një mendim i orëve të vona që do të më pëlqente ta ndaja me ju: Jo gjithçka që unë bëj duhet të jetë në rrjete sociale. Vetëm sepse nuk e publikoj nuk do të thotë se nuk e bëj, nuk e shoh, nuk e ndjej, nuk e përjetoj. Duke qenë në syrin e publikut për kaq shumë kohë, kam mësuar dhe kuptuar se çfarë është afër zemrës sime duhet të qëndrojë larg nga ato që nuk janë afër zemrës sime. Jemi mësuar të shohim çdo urim për ditëlindje, për ditën e nënave, baballarëve dhe miqëve në ‘Instagram’, aq shumë sa kemi nisur të bazohemi dhe të gjykojmë çdo marrëdhënie nga prania apo mungesa e këtij urimi virtual. Edhe unë kam qenë pjesë e këtyre njerëzve e nëse në një moment e gjen veten të shqetësuar nga ky fakt, tërhiqu një hap prapa dhe vlerëso jetën tënde. E dua motrën time po njësoj edhe pse nuk e urova në ‘Instagram’ për sjelljen në jetë të bukuroshit tim Roman. Isha pranë saj duke ja bërë të ditur këtë gjë vetëm asaj e jo botës. E kuptoj se sot do ishte ditëlindja e babait tim. Ai do mbushte plot 51 vjeç, dhe ky është viti i 11-të që nuk mundem t’i jap puthjen e ditëlindjes. Do kishte ndryshuar gjë nëse do kisha postuar diçka për të? Vetëm botëkuptimin tuaj, jo dhimbjen time. Jetoj me kujtimin e tij çdo ditë, kështu që ju lutem mos merrni kohë nga dita juaj për të bërë dikë të ndihet keq. Nuk e dini se çfarë po kalon ai njeri, tregohuni pak më të zgjuar. Mos lejoni që rrjetet sociale të ndërhyjnë në sensitivitetin tuaj. Të gjithë jemi njerëz nga ana tjetër e ekranit” shkruan ajo. Ky shkrim sigurisht i ka prekur të gjithë, duke i bërë të edhe të reflektojnë mbi rrjetet sociale, që sot janë kthyer në një ‘sëmundje’.