Nga Manjola Markola
“Ai ishe te koncerti i Noizy-t?”. Kjo ka qenë pyetje që më ka ndjekur këto dy ditë. Sigurisht që isha. Dhe me të njëjtën siguri kam (shumë) gjëra për të thënë. Atë ditë, në ditën e katërt të muajt gusht, mes vapës së madhe mbytëse që i printe një fundjave të freskët, ecja mes një turme të rinjsh dhe jo vetëm, drejt sheshit “Nënë Tereza”. A thua se ua lexoja në sy se po shkonim të gjithë në të njëjtin destinacon. Në “Alpha Show 2”. Teksa hapat afroheshin drejt skenës gjigande, mendimet më çuan drejt e në një vit më parë, më 14 gusht, në “Alpha Show 1”. Emocionet e asaj nate qëndrojnë tek unë, edhe pas një viti, ndoshta do të qëndrojnë edhe shumë më gjatë. Retrospektiva, më solli ndërmend gjithçka ka ndodhur në harkun kohor të një viti dhe ohhh sa shumë kujtime vërshuan. Kujtime shpirti, të gëzuara, të trishta, të paqta, të vrullshme, të ëmbla, të hidhura zeher, kujtime të jetës. M’u kujtua çdo gjë e asaj nate, e një vit u mbështoll drejt e në sytë e mi. “Alpha show 1”, krijoi histori, nga ato që mund të thuash pa frikë “para Alpha-s, pas Alpha-s”. Në radhë, ndërsa prisja, kujtimet më çuan fluturimthi në shumëëë vite më parë, yhy, në adoleshencën time. Ngjitur meje shihja fëmijë, adoleshentë, të rinj, të rritur, të gjithë të ekzaltuar për koncertin e Noizy-t. Në sytë e tyre nuk e di pse pashë veten dhe adoleshentët e brezit tim. Ashtu vrik më erdhën vargjet e këngës “Jena mbretër” për të cilën shkurt, qartë e shqip, vdisnim. Kujtova ato festat e vogla që bënim e këngët e Noizy-t ishin “on top”. Kërcenim duke kënduar e mes nesh kishte edhe djem që për t’i ngjarë Noizy-t, mundoheshin të visheshin si ai. Sigurisht dhe ne vajzat me komentet tipike “ua ky djali sa i ngjan Noizy-t”. Madje-madje asokohe nisën edhe të krijonin ato grupet e vogla e nëse kërkon nëpër arkiva, mund edhe të ketë këngët të frymëzuara plotësisht prej tij. Noizy ishte kudo, kurdo. Mes turmës që më çoi drejt hyrjes, u kthjellova dhe mora rrugën drejt vendit ku do ta ndiqja koncertin. Çfarë vura re? Numrin e madh të “Security-t” që s’di pse menjëherë më dhanë ndjesinë e sigurisë. Duhet të theksoj se isha vetëm, po nuk u ndjeva aspak e tillë. Cepi që zura vend më lejonte të shihja praktikisht çdo gjë. Për një moment u ndjeva si në shtëpi, veçse rreth vetes kisha mijëra persona. Në një të kthyer të kokës shoh një premtim të mbajtur të Noizy-t. Një vit kalon sa hap e mbyll sytë, e ajo fjala e Noizyt “Në Alpha show 2” do të ketë vend të posaçëm për personat me aftësi të kufizuar” më erdhi menjëherë ndërmend. E ata ishin aty, lumturia shihej në sytë e tyre, shkëlqim të cilin nuk e paguajnë milionat. Kur koncerti nisi, dritat e telefonave bënë superdritë, nga aty mund të kuptoje sa shumë njerëz kishte atë natë. Nëse nuk do të ishte për punën, telefoni im do të qëndronte në çantë e të gjithë koncertin do ta ndiqja ashtu direkt, në kontaktin e vërtetë sy më sy. Artistët një nga një u ngjitën në skenë e brohorimat nuk pushonin asnjë çast. Kur pashë Noizy-n, këtë herë e bëra krahasimin me 14 vjet më parë, atëherë në adoleshencën time (po jam diku afër të tridhjetave, por ç’rëndësi ka kjo). Asokohe ishte pasqyrë e këngës e veshjes, sot e muzikës, historisë së saj e suksesit. Ashtu e pashë Noizy-n atë natë, puna e të cilit tanimë flet vetë. Një shembull të suksesit, në Shqipërinë e vogël me ëndrra të mëdha. Skena gjigande e përpiu e mes emocioneve kërkoi me sy të ëmën, e di që mes mijëra syve ka kërkuar veten në fëmijëri, në adoleshencë, rini e tanimë në sukses. Unë nuk di të them në historia e bëri Noizy-n, por Noizy e bëri historinë e muzikës, përmes të shkuarës, të tashmes e të ardhmes që krijon përjetësinë.
Unë atë natë kuptova se ëndrrat janë realitet përmes të cilit të gjithë mund të kalojmë.
Po Noizy, ti ja dole të krijosh kujtime, ëndrra dhe histori.