Aktorja Egla Ceno ka ndarë mendimin e saj mbi situatën e këngëtares Parashqevi Simaku, duke vënë theksin te mënyra se si njerëzit shpesh zgjedhin keqardhjen për të dobëtit. Sipas saj, është më mirë të përballesh me urrejtjen sesa me keqardhjen, pasi kjo e fundit është më shkatërruese.
Egla argumenton se urrejtja mund të shërbejë si një shtysë për të reaguar dhe për të ruajtur dinjitetin, ndërsa keqardhja të paralizon dhe të shkatërron personalisht.
“Rasti i Parashqevisë ma përforcoi këtë mendim: Më mirë të të urrejnë se të ndiejnë keqardhje për ty! Urrejtja të paktën të gudulis egon dhe të bën të reagosh. Keqardhja të lëndon, të mpin! Ta shkërmoq edhe atë pak dinjitet që të mban akoma në këmbë.”
Egla thekson gjithashtu se urrejtja shpesh buron nga pasiguritë e vetë atyre që urrejnë, të cilët shohin te tjetri diçka që ata vetë nuk mund ta arrijnë. Ndërsa keqardhja, sipas saj, është një realitet që rrënon krahët dhe forcën e një personi.
Sa i përket dashurisë së shfaqur në rrjetet sociale, ajo vëren se shpesh ajo është e lidhur me një mungesë qëndrimi, një nënshtrim ndaj opinionit të të tjerëve, ose një rëndësi që vjen vetëm pas vdekjes.
“Më mirë të urrejnë sepse urrejtjen e ndez “diçka” që i bën të ndihen humbës, leshko dhe të pavlerë përballë teje. Urrejtja ka të bëjë me problemet psiko-emocionale të vet urrejtësit, i cili shikon te ty atë që nuk mund të jetë dot kurrë vet. Ndërsa keqardhja të këput krahët sepse është e vërtetë.
Sa i përket “dashurisë” nga masa e rrjeteve sociale, faktet kanë treguar se të gjithë të duan kur je i papërfillshëm, kur nuk ke një qëndrim tëndin, kur rron për të patur konfirmimin e të tjerëve, kur je një butak ose kur je i vdekur,” ka shtuar ajo.