Përpara se Covid-19 ta zhyste botën në një kaos, puna ishte: pesë ditë në javë, 8 orë në ditë. Gjithçka normale me një makinetë uji, lule dhe ai telefoni që nuk pushonte kurrë. Puna ishte punë, jeta ishte jetë. Pastaj, bam! Kaluan ndryshimet më revolucionare në kulturën e vendit të punës në të paktën një brez. Fatlumët që kishin mundësi, punuan nga shtëpia, duke zgjedhur kur, ku dhe si, por jo të gjithë e patën këtë fat.
Në botën reale, puna u bë jetë, dhe jeta u bë punë. Gjithçka u përmbys. Në një kohë kur puna dhe jeta ndiheshin si dy kundërpesha që duhej të ishin të balancuara, tani ato janë aq të copëtuara sa duken si një puzzle. Sot, ndërsa gjithnjë e më shumë bizneset po thërrasin punonjësit e tyre për t’u rikthyer në zyrë, gjetja e ekuilibrit të kohërave të mëparshme duket e kotë. Është koha për të ndërtuar një përshtatje më të mirë. Ja çfarë thotë ekspereti i punës Dan Erickson, krijuesi i “Severance”.
Bëni dallimin mes punës dhe jetës
“Balancimi i punës dhe jetës” tingëllon bukur dhe kur e themi duket e lehtë. Dhe kjo është normale. Por, sipas Bill Burnett, bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv i Laboratorit të Dizajnimit të Jetës në Stanford dhe bashkautor i librit “Designing Your New Work Life”, fraza është e gabuar. “Nuk është punë-jetë,” thotë Burnett. “Është jetë-jetë. Qëllimi duhet të jetë një jetë me një punë të mirë në të.
Burnett sugjeron që të harmonizojmë përvojat tona. Së pari, ai rekomandon të shkruani një përkufizim të shkurtër për atë çfarë puna do të thotë për ju dhe çfarë kërkoni prej saj: para? Kënaqësi? Pastaj, shkruani një deklaratë të dytë për mënyrën si e shihni jetën tuaj: çfarë vlerësoni, ku përshtaten marrëdhëniet dhe çfarë roli luan spiritualiteti. Nëse deklarata e parë përshtatet brenda së dytës, atëherë jeni në harmoni. Nëse jo, filloni të bëni zgjedhje që ju sjellin në përputhje (për shembull, ndryshoni orarin tuaj për të marrë pjesë në më shumë aktivitete familjare, shoqërore).
Braktisni pseudo-produktivitetin
Pseudo-produktiviteti, sipas shkrimtarit Cal Newport, autor i librit “A World Without Email”, është ideja se të jesh i zënë është një tregues se po bëjmë diçka të dobishme. Por tani që jemi gjithmonë “on”, pseudo-produktiviteti na ndjek edhe në shtëpi. “Newport” paralajmëron se kjo përzierje mes pseudo-produktivitetit dhe pajisjeve që na mbajnë të lidhur me punën krijon probleme. Meqenëse puna mund të na ndjekë kudo, në çdo moment kemi mundësinë të demonstrojmë aktivitet.
Në vend që të përdorni aktivitetin si një matës, “Newport” rekomandon një qasje të bazuar në rezultate. “Merrni më shumë rezultate në më pak kohë duke pritur që të përfundoni diçka përpara se të përqendroheni në diçka të re,” thuhet në sugjerim.
Gjeni momente zgjedhjeje
Bill Burnett sugjeron të rifitoni sadopak autonomi, në çdo mënyrë që mund të punoni. “Ajo që na bën të ndihemi njerëzorë është aftësia jonë për të zgjedhur,” thotë ai. Prandaj, edhe brenda jetës suaj të punës, gjetja e momenteve ku mund të ushtroni zgjedhjen ju ndihmon të ndiheni se po rifitoni anën tuaj njerëzore. Ju mund të mos fitoni luftën, por sigurisht mund të zgjidhni betejat tuaja. Kjo mund të nënkuptojë të bëni një pushim për 5 minuta çdo 1 orë, të diskutoni me shefin tuaj për ridizajnimin e përshkrimit të punës suaj, ose të hidhni sytë nga një hobi i shëndetshëm.
Reflektoni nëse puna është një justifikim
Vlerësohet se rreth një e treta e amerikanëve e konsiderojnë veten punëdashës të tepruar (workaholics), që do të thotë se, edhe nëse u ofrohej një përzierje më e shëndetshme mes jetës personale dhe profesionale, ata me shumë mundësi do të zgjidhnin punën. Ndërkohë, sipas psikiatrit dhe këshilltarit të “Men’s Health”, Dr. Gregory Scott Brown, puna mund të sigurojë një shpërthim të domosdoshëm dopamine, por varësia nga puna është si çdo varësi tjetër. Nuk është e mirë për shëndetin tuaj fizik ose mendor.
Nëse problemet themelore që shqetësojnë jetën tuaj personale, ato që quhen faktorët shtytës nuk adresohen, puna do të vazhdojë të jetë vendi ku shkoni për t’i shmangur ato. Për shembull, nëse ndodheni në një marrëdhënie të keqe me çështje që duhet të adresoni, dhe e vetmja fushë në jetën tuaj ku ndiheni të vlerësuar është zyra, kjo mund të jetë një shenjë se po përdorni punën si një mënyrë për të shmangur përballjen me problemet personale. Njohja e faktit që po përdorni punën si një formë vetëshërimi është mundësia për të adresuar problemet. Kjo jo vetëm që ndihmon jetën tuaj personale, por gjithashtu ju ndihmon të hyni në punë më të qartë.
Përdorimi i punës si një formë vetëshërimi, është një mënyrë për të shmangur përballjen me emocionet ose situatat e pakëndshme. Megjithatë, kjo mund të çojë në një cikël të pafundmë të shmangies dhe stresit të shtuar. Për të adresuar këtë, është e rëndësishme të identifikoni burimet e stresit në jetën tuaj personale dhe të punoni për t’i zgjidhur ato. Kjo mund të përfshijë kërkimin e mbështetjes nga miqtë, familja ose profesionistët e shëndetit mendor, si dhe angazhimin në aktivitete që promovojnë mirëqenien tuaj emocionale dhe fizike.
Nëse ndiheni të mbingarkuar nga puna dhe po përdorni atë si një mënyrë për të shmangur përballjen me çështje personale, mund të jetë e dobishme të shqyrtoni mundësinë e kërkimit të ndihmës profesionale për të menaxhuar stresin dhe për të përmirësuar balancën midis jetës personale dhe profesionale.