Reperi Fero përballet me akuza serioze nga Prokuroria Themelore në Gjilan për tri vepra penale, përfshirë dhunën në familje, ngacmimin seksual dhe kanosjen ndaj ish-bashkëshortes së tij, modeles së njohur Arbenita Ismajli.
Sipas aktakuzës që ka siguruar redaksia e Paparacit, periudha nga qershori deri në tetor 2024 shënon një kohë gjatë së cilës Fero dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike të vazhdueshme ndaj Arbenitës, duke e ofenduar në mënyrë të përsëritur.
Në aktakuzë theksohet se reperi ka shqetësuar ish-bashkëshorten me mesazhe e thirrje të përsëritura në orare të ndryshme, përfshirë edhe gjatë takimeve për dorëzimin e fëmijës. “Me kon je tu fol… qoma shpejt… për çka i ke ly buzt”, janë disa nga fjalët që i drejtohen Arbenitës. Këto veprime kanë shkaktuar tek ajo dhimbje emocionale, frikë dhe shqetësim të madh.
Përveç dhunës psikologjike, Fero ngarkohet edhe me akuzën e ngacmimit seksual. Ai dyshohet se ka puthur Arbenitën kundër dëshirës së saj dhe i ka thënë: “ti je gruja jeme unë kam të drejt me flejt me ty”. Aktakuza shton: “Ta ha zemrën… shpirti jem… ti je gruaja jem… unë kam të drejt me fjet me ty… nuk ki të drejt mem than jo… e pavarësisht kundërshtimit dhe refuzimit të saj, duke e cenuar kështu lirinë dhe pëlqimin e saj”.
Situata mes tyre u përkeqësua ndjeshëm në shtator 2024, kur Fero e kërcënoi me fjalët: “ki me ma ni zonin… të vraj, e ta nxjerri shpirtin”.
Sipas Prokurorisë, ai e ka kërcënuar Arbenitën edhe përmes mesazheve në WhatsApp, duke i thënë: “ke me ma ni krismën.. të vraj… ta nxjerri shpirtin prej vendit… fëlqitë nga vendi t’i thej…”. Këto kërcënime serioze i kanë shkaktuar ish-bashkëshortes frikë dhe ankth të vazhdueshëm.