Emri i Anxhela Daci po shfaqet si një nga historitë më premtuese shqiptare të muzikës techno. E lindur në Bulqizë dhe e rritur mes Italisë dhe Gjermanisë, artistja tregon se pasioni për DJ-ing lindi në adoleshencë, sic shprehet ajo, “që në moshën 16–17 vjeç, gjatë festave me shoqet, ndjeja një emocion të veçantë nga muzika”, një ndjesi që u kthye në rrugë profesionale.
Shpërngulja në Gjermani në moshën 21-vjeçare shënoi kthesën e karrierës, duke i hapur dyert e industrisë dhe kontaktet e para profesionale. Në setet e saj, që zakonisht zgjasin një deri në dy orë, ajo arrin të krijojë atmosferë energjike dhe lidhje të fortë me njerëzit.
Publiku shqiptar mbetet thelbësor për artisten, ku në koncerte fansat shpesh i dhurojnë flamuj dhe simbolin e shqiponjës. Ajo shpreh dëshirën për bashkëpunime me Taynan dhe në plan ndërkombëtar me DJ Snake, e jo vetëm.
Në një industri intensive dhe konkurruese, Anxhela Daci po konsolidohet si një figurë në rritje në skenën evropiane. Një histori suksesi që nis nga një qytet i vogël shqiptar dhe vazhdon në skenat më të mëdha të muzikës elektronike.








