Modelja turke Guler Erdogan, fituese e titullit “Miss Evropa”, ka ndërruar jetë në rrethana tragjike pas një ndjekjeje nga policia në qytetin Giresun. Ngjarja e rëndë ndodhi pasi 27-vjeçarja, e dyshuar për drejtim nën efektin e alkoolit, u përball me autoritetet dhe më pas tentoi të largohej me vrap.
Sipas raportimeve fillestare, Erdogan kishte dështuar në testin e alkoolit dhe në përpjekje për t’u arratisur, ra nga një urë dhe u përplas për vdekje nga një makinë që po kalonte poshtë.
Familja e saj ka konfirmuar humbjen e jetës dhe ka mbyllur të gjitha llogaritë e saj në rrjetet sociale. Hetimet për incidentin kanë nisur ndërkohë që janë zbuluar edhe episode të mëparshme të luftës së saj me probleme të shëndetit mendor, përfshirë një tentativë për vetëvrasje.
Vdekja e Guler Erdogan ka tronditur opinionin publik, duke sjellë në vëmendje nevojën për më shumë kujdes ndaj shëndetit mendor dhe mbështetje për ata që ndodhen në gjendje të brishtë emocionale.