Me të drejtë mund të quhet “Mbretëresha e Sporteve” në vend. Luiza Gega nuk resht së bëri historinë në atletikën shqiptare. Jo më larg se dje në Kupën e Shqipërisë, Gega përmirësoi kohën në 10 mijë metra.
Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, Gega deklaroi: “Në fakt ishte thjesht një stërvitje e mirë. E vendosëm për të bërë 10000 metra meqenëse ishte i vetmi rekord kombëtar që nuk e kisha në distancat e mesme e të gjata. Mundësitë e mia janë shumë më tepër se kaq, por nuk donim të ulnim stërvitjen, pasi po përgatitem për ‘Diamond League’ në Shangai dhe atje është fokusi kryesor.
E kisha pak të vështirë të ambientohesha me ritmin pasi janë 25 xhiro dhe është vrapuar totalisht vetëm. Do t’u rikthehem 10 mijë metrave në një moment tjetër për të zbritur nën 33 minuta. Gjithsesi jam e kënaqur për stabilitetin që u pa gjatë vrapimit dhe sigurisht për një rekord që mbahej që nga viti 1989.
Rekordi i ri me më shumë se 1 minutë dhe 15 sekonda më bën të ndihem mirë dhe të besoj se faza e deritanishme po shkon sipas parashikimeve tona”, deklaroi për gazetën Luiza Gega, atletja më e mirë në vend./Panorama