Tifozja kuqezi, Irid Oxa, me bukurinë dhe sharmin e saj i bëri të gjithë të flisnin gjatë “Euro 2016” pas përhapjes së fotove nga stadiumi me mikeshën e saj Rike Roçi.
Më pas, mediat italiane zbuluan lidhjen e saj të dashurisë me futbollistin e Serisë A të Torinos, Afriyie Acquah. Për futbollin, dashurinë dhe martesën, vajza e lindur në Fier, por që jeton prej dy dekadash në Itali, rrëfen jetën e saj pas famës në këtë rrëfim për gazetën “Panorama”.
Njihesh si tifozja e famshme e Shqipërisë që u bëre e njohur gjatë “Euro 2016”. Si ka ndryshuar jeta jote pas vëmendjes së mediave këtë periudhë?
Atë popullaritet, të cilin e përjetova në atë periudhë të Europianit, e konsideroj kalimtar, okazional dhe që absolutisht nuk më ka ndryshuar rrjedhën e jetës. Njëkohësisht dua të them se e kalova me sportivitet si në rast komplimentesh, apo përgëzimesh, ashtu edhe përballë kritikave. Mediat dhe portalet bëjnë punën e tyre, sjellin, zbukurojnë apo modifikojnë gjithashtu dhe paraqesin ndonjëherë të vërtetën, gjithsesi unë i respektoj. Por dua të shtoj se mediat e huaja ishin më të ngrohta në komente (ndoshta sepse pena që shkruante i përkiste gjinisë mashkullore).
Ndeshjen e fundit Itali -Shqipëri e ndoqe nga stadium apo nga ekrani? Për kë bëre tifo?
Ndeshjen Itali-Shqipëri e pashë nga ekrani si shumë shqiptarë dhe kam bërë tifozllëk për Shqipërinë, pasi nuk mund të ndodhte ndryshe. Gjaku të thërret e nuk bëhet ujë.
Je cilësuar si tifozja kuqezi, që nënkupton se preferon t’i ndjekësh ndeshjet e rëndësishme nga stadiumi. Nuk është kështu?
Dua të theksoj se unë nuk jam tifoze që ndjek skuadrën në çdo ndeshje. Ai moment në Francë ishte një pjesëmarrje si për shumë shqiptarë të pranishëm, pasi ishte eveniment për kombin tonë. Prandaj e quaj veten me fat që u ndodha. Të tjerat erdhën pa skenar dhe kurrë nuk e mendoja të ishim në fokusin e fotoreporterëve.
E lindur në Fier, muzikante e balerinë që jeton në Itali prej shumë vitesh, kështu të prezantojnë në shtypin italian. Realisht cila është lidhja jote me Shqipërinë?
Me Shqipërinë kam një lidhje të veçantë, pasi e kam frekuentuar rregullisht dhe kështu do të jetë gjithmonë. Vendlindja është si dashuria prindërore e nuk mund të venitet.
Historia e dashurisë apo fejesa me futbollistin e Serisë A të Torinos, Afriyie Acquah, është ajo që ka tërhequr më shumë vë- mendjen e mediave. Si mund ta përshkruash këtë romancë?
Të them të drejtën, unë nuk kam dashur të prononcohem për lidhjen sentimentale, por disa kore raciste nëpër portale e komente më revoltuan, prandaj reagova. Lidhja ime është si çdo lidhje në çift, me zënkat e vogla dhe momentet e bukura magjike që mposhtin çdo vështirësi. E jetoj çdo moment, çdo ditë, derisa të jetë e shkruar, duke investuar normalisht ndjenja të pastra dhe dashuri.
Për faktin se Acquah është një djalë me ngjyrë, nuk u ke shpëtuar komenteve negative, siç e the edhe vetë, që janë bërë në rrjetet sociale. Si ndihesh kur përballesh me paragjykime, të cilave nuk ua ke përtuar përgjigjen?
Unë jam rritur në një shoqëri me mentalitet të hapur “very open mind”, prandaj këto paragjykime race, feje, ideje nuk bëjnë pjesë në botëkuptimin tim. Ndaj, nuk kam përtuar të reagoj. Unë jetoj brenda kufirit të lirisë sime, veproj brenda limitit të lirisë sime, e cila mbaron aty ku fillon liria e tjetrit. Kështu, nuk cënoj dhe nuk dhunoj interesat e askujt. Ndaj revoltohem me njerëzit keqdashës që lëshojnë ofeza pa u lënë shkas.
Çfarë nënkupton kur thua se djemtë me ngjyrë e kanë shpirtin e bardhë, si sillen ata ndryshe nga raca e bardhë?
Ngjyra e lëkurës nuk përcakton ngjyrën e zemrës, kur rëndom ndodh e kundërta dhe me racën të ashtuquajtur normale “të bardhë”.
Rikthehemi te ndeshjet. Kush janë futbollistët shqiptarë të preferuar dhe më cilët prej tyre ke miqësi?
Nuk kam ndonjë preferencë të veçantë për të veçuar, por ndoshta po përmend këtu Lorik Canën, meqenëse mund të kemi një shok të përbashkët që luan me Lazio-n, ku ka luajtur Loriku dikur. Nuk kam miqësi me askënd nga lojtarët.
Ndërkohë, tifozllëku jot bëhet interesant në dyshen me Rike Roçin. Si je njohur dhe çfarë ju bashkon për të qenë mikesha kaq të ngushta?
Me Riken jemi njohur në Milano dhe lindi direkt një “feeling”. Na përputhen mendimet, ndajmë të njëjtat “hobby” pak a shumë dhe kështu u zhvillua miqësia jonë. E kam shpjeguar që çdo gjë në lidhje me ato foto të publikuara gjatë Kampionatit Europian ishte rastë- si totale. Ishim atje ekskluzivisht për qejfin tonë dhe nuk parashikuam ndonjë “boom” mediatik.
Me kanotieret e zeza që të evidentojnë dekoldetë duket se ke rrëmbyer zemrat e tifozëve të futbollit. Ka qenë e mirëmenduar nga ana jote që të prezantohesh kështu, apo e gjitha ishte rastësi?
Ato kanotiere nuk ishte hera e parë që i vishnim dhe në shkallët e ndonjë stadiumi tjetër. E të mos harrojmë që ishte stina e verës, kështu që nuk do të shkonin palltot.
Udhëtimi i fundit me Riken ishte në Amsterdam. Dikush mund të pyesë se si i siguroni paratë për të udhëtuar kaq shumë?
Për sa u përket shpenzimeve dhe udhëtimeve po u shuaj kuriozitetin atyre që mund të pyesin. Unë për fatin e mirë kam 20 vjet jetesë në Itali me familje, prandaj që kur kam filluar të bëja ato punët e vogla të një adoleshenteje nuk kisha shpenzime qira, ngrënie, ujë, drita, gaz etj. Më vonë kam punuar dhe si PR dhe këto kohët e fundit kam qenë e angazhuar në fushën e modelingut për reklama të vogla.
Të ka ndodhur të jesh pranë artit gjatë jetësës në Itali?
Po, kam drejtuar spektakle bukurie në Firenze. Po ashtu kam marrë pjesë në promovime dhe evente spektaklesh, ku natyrisht paguhesh, dhe për të ardhur te projekti i fundit i radhës ku isha protagoniste kryesore e një videoklipi të një këngëtari francez, Djedje Masta, i cili pritet të hidhet në tregun muzikor se shpejti. Prandaj udhëtimet e mia kanë edhe motive të tilla, ku natyrisht jam e ftuar dhe çdo gjë e ofruar gratis. Por një dozë të mirë sinqeriteti po ju shtoj se dhe i dashuri më përkëdhel së tepërmi për të më dhuruar udhëtime me qëllim pushimi dhe relaksi, pasi është i lumtur kur më sheh të lumtur.
Po nga Shqipëria të është bërë ndonjë ofertë interesante për të qenë pjesë e ndonjë emisioni sportiv?
Oferta nuk kam pasur për të qenë pjesë e ndonjë emisioni sportiv. Nëse do të më bëhej do ta analizoja ofertën, por duhet të theksoj se unë jam një natyrë shumë e gjallë që më pëlqejnë shakatë, batutat e rrallëherë përgjigjem seriozisht. Jam me humor dhe nuk di si do të mund të integrohesha aty.
Çfarë bën për të mbajtur trupin në formë dhe cili është rituali yt për linja seksi?
Unë kujdesem dhe nuk kujdesem për linjat trupore, prandaj mund të them është dhe një dhuratë e nënës natyrë. Por angazhohem edhe në palestër.
Është martesa në planet e tua dhe a e ndien se e ke gjetur burrin e ëndrrave?
Për martesë mendoj se ka akoma kohë, pasi duhet të ndihem gati dhe për të përballuar detyrimet e tjera që mbart jeta në çift. Sot ndihem mirë me personin që kam në krah, në një të neserme nuk e di…
Marre nga Panorama