Këtë verë, Tirana pritet të bëjë histori duke mirëpritur edicionin e dytë të “Eagle Beat Festival”, një ngjarje spektakolare që synon të vendosë Shqipërinë në hartën ndërkombëtare të muzikës elektronike.
Festivali do të mbahet në datat 13-14-15 qershor, në Pistën e Vrapimit të Parkut të Madh të Tiranës, dhe premton tri ditë të mbushura me muzikë dhe argëtim.
Emra të mëdhenj të muzikës elektronike vijnë në Tiranë
Organizuar nga “Kuadr Events”, një emër tashmë i njohur për eventet muzikore të përmasave të mëdha në Shqipëri, “Eagle Beat Festival” sjell një listë impresionuese me disa nga artistët më të mëdhenj të skenës ndërkombëtare.

Në krye të listës janë Dimitri Vegas & Like Mike, dyshja belgo-greke që ka ndezur skenat e Tomorrowland dhe Ushuaïa Ibiza. Ata do të shoqërohen nga HUGEL, DJ francez i njohur për hitin “Morenita”, si edhe DEEJAY TIME.
Fred de Palma, Elvana Gjata, Ledri Vula, Capital T, do të jenë këtë vit në “Eagle Beat Festival” për t’i vënë flakën argëtimit.
Pjesë e festivalit do jenë edhe TUJAMO dhe MARNIK.
Ky festival shënon një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, si ngjarja e parë e këtij lloji që sjell në vend artistë me famë ndërkombëtare, të lidhur me festivale ikonike si Tomorrowland dhe Ushuaïa.
Me Parkun e Madh të Tiranës si sfond natyror dhe atmosferën unike që vetëm Tirana di të krijojë, Eagle Beat Festival synon të ofrojë një përvojë të paharrueshme për të gjithë të apasionuarit pas muzikës.
Ngjarja forcon gjithashtu rolin e Shqipërisë si një destinacion gjithnjë e më tërheqës për kulturën dhe muzikën botërore.
Me kombinimin e artistëve të mëdhenj dhe natyrës së bukur, Eagle Beat Festival 2025 pritet të jetë një nga momentet kulmore të verës, duke e vendosur Tiranën në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.




