Meghan Markle është sërish në qendër të vëmendjes dhe polemikave. Këtë herë, Dukesha e Sussex është kritikuar për një video që ka ndarë në rrjetet sociale, ku shfaqet në një limuzinë me këmbët e ngritura lart, ndërsa udhëton mes për mes tunelit të Parisit ku humbi jetën Princesha Diana.
Pamjet, të cilat duken se janë regjistruar nga vetë Meghan, e tregojnë atë duke pushuar në makinë teksa kalon urat e famshme të Senës – Pont Alexandre III dhe Pont des Invalides – përpara se të afrohet tek Pont d’Alma, tuneli ku në gusht të vitit 1997 ndodhi aksidenti fatal që i mori jetën Dianës, partnerit të saj Dodi Fayed dhe shoferit Henri Paul.
Publiku e ka quajtur gjestin e saj “të pandjeshëm” dhe “të papërshtatshëm”, veçanërisht duke marrë parasysh lidhjen e fortë emocionale që Princi Harry ka me atë vend.
Ndërkohë, ekspertët mbretërorë kanë reaguar menjëherë ndaj videos. Njëri prej tyre, Richard Fitzwilliams, e cilësoi postimin si:
“krejtësisht çuditshëm, jashtëzakonisht budallallëk, të pandjeshëm përtej çdo besimi.”
Ai shtoi gjithashtu se Princi Harry, i cili ka vuajtur gjatë për humbjen e nënës së tij, ndoshta nuk do ta kishte përjetuar mirë një postim të tillë.
“Vdekja e Dianës është një tragjedi që ka lënë gjurmë në pjesën më të madhe të jetës së Harry-t dhe nuk mund ta imagjinoj që ai do ta gjente këtë shumë të përshtatshme.”
Videoja është publikuar vetëm disa orë pasi Meghan bëri një paraqitje surprizë në Javën e Modës në Paris, ku mori pjesë në sfilatën e Balenciaga-s përkrah emrave si Anna Wintour, Anne Hathaway dhe Baz Luhrmann.
Megjithëse dukesha dukej e qetë dhe plot vetëbesim në dalje publike, postimi i saj në Instagram është parë nga miliona ndjekës si një “provokim i panevojshëm” dhe “mungesë respekti” ndaj kujtimit të Dianës.








