Ta quajmë 8 Marsin ditën e grave të forta, të brishta, të ëmbla, të bukura, të famshme, të lira, të qeshura…? Ta quajmë ditën e supergrave apo të gruas që s’do fare të jetë e tillë? 8 Marsi i të gjitha këtyre bashkë apo i asnjërës prej tyre? Ne nuk duam t’i fusim gratë e vajzat tona nëpër kallëpe, heroina qofshin apo të papërsosura. Ne duam vetëm të festojmë për gruan dhe të kemi një simbol të thjeshtë të numrit 8, që u takon të gjithave atyre që na shkëlqejnë në sy, por ne kemi përzgjedhur 8, që këtë vit kanë shkëlqyer në sytë e të gjithëve. 8 për 8 fusha të ndryshme, 8 gra e vajza që do t’i zbulojmë një nga një gjatë ditës së sotme…
Ylli i Nensi Dojakës shkëlqeu vjet. Po shkëlqeu aq shumë sa bota e njohu me një kërcitje gishtash. Bota e modës, bota e të famshmëve, bota e marketingut, bota e nëndheshme e starsistem-it qarkulloi emrin e stilistes shqiptare, që fitoi Çmimit LVMH 2021 për Dizajnerë të Rinj dhe u nderua në një ceremoni me yje në Paris. Një çmim i tillë nuk është aspak si çdo çmim a dekoratë që do kish fituar në vendin e saj, që talente ka me shumicë por që ylli fatkeqësisht iu ndrin larg, edhe sepse Shqipëria ka hap të vogël. Një juri me emra si Marc Jacobs dhe Stella McCartney zgjodhën Nensin. Pastaj një ditë Bella Hadid veshi një krijim të Nensit, krijimet e saj tipike prej tyli e rripash të hollë, e hodhi në Instagram dhe kaq qe. Stilistja u katapultua në statusin e new ‘it-girl’ label. Tani Nensi është stilistja që të gjithë ia duan krijimet. Që këtë vit pati sfilatën e saj në javën e modës në Londër, e barabartë mes emrave më të mëdhenj të modës dhe një veshje e saj blihet mijëra euro. Ky është suksesi i një gruaje shqiptare, që u bë prej talentit të saj, prej mundësive që pati në Londër ku jeton, por që edhe neve na bën të ndihemi krenarë dhe të lumtur./revistawho.com