Një zhvillim i papritur ka trazuar opinionin publik dhe botën e showbizit shqiptar. Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për masën e sigurisë ndaj artistit të njohur dhe fituesit të BBVA, Gjesti, duke vendosur ndaj tij paraburgim për 30 ditë. Vendimi u mor pas dëgjimit të palëve dhe analizimit të materialeve të çështjes, në një proces që ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe publikut. Gjatë seancës raportohet se janë parë edhe familjarë të këngëtarit.
Sipas njoftimit zyrtar të autoriteteve, masa erdhi pas kërkesës së bërë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila dyshon për artistin për disa vepra penale, përfshirë kanosjen, dëmtimin e pasurisë dhe mbajtjen në pronësi apo kontroll të paautorizuar të armëve. Pas shqyrtimit të dosjes, gjykata vlerësoi se masa e paraburgimit është aktualisht zgjidhja më e përshtatshme për të garantuar zhvillimin e rregullt të hetimit.
Në arsyetimin e vendimit, gjykata thekson:
“Gjykatësja e procedurës paraprake, pas analizimit të detajuar të shkresave të lëndës, e vlerësoi kërkesën e prokurorisë si të drejtë dhe të bazuar. Gjykata konstatoi se caktimi i paraburgimit është aktualisht masa më adekuate për të garantuar rrjedhën e papenguar të procedurës”.
Po ashtu, në dokumentin zyrtar nënvizohet se ekzistojnë rrethana që e justifikojnë këtë vendim:
“Në arsyetimin e vendimit, theksohet se ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurit, mundësinë e ndikimit tek dëshmitarët, si dhe rrezikun e përsëritjes së veprës. Për këto arsye, kjo masë u pa si e vetmja zgjidhje në këtë fazë të hetimit”. Megjithatë, sipas procedurave ligjore në Kosovë, mbrojtja e artistit ka ende mundësi të ndjekë rrugët e ankimit, pasi “kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”.








