Pas alarmit që u krijua rreth gjendjes shëndetësore të Albës, produksioni i “Big Brother VIP Kosova” ka reaguar zyrtarisht duke qetësuar publikun dhe fansat e spektaklit. Përmes një komunikimi në rrjetet sociale, u bë e ditur se banorja është përballur me një problem shëndetësor që ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
Sipas njoftimit, Alba është larguar përkohësisht nga shtëpia e famshme dhe është dërguar në spital për të marrë kujdesin e nevojshëm nga stafi mjekësor. “Alba ka lënë shtëpinë për pak kohë pasi nuk është ndjerë mirë dhe aktualisht ndodhet në spital për trajtim mjekësor profesional,” thuhet në deklaratën e produksionit, duke sqaruar se situata ishte nën kontroll.
Alba tashmë është rikthyer sërish në shtëpi, ku po vijon të qëndrojë nën vëzhgim dhe pushim. Ajo u shpreh se para se të humbte ndjenjat kishte ndierë një dhimbje të fortë në stomak. Ditët e fundit në shtëpinë e BBVK për të kanë qenë tejet të vështira, ku konfrontimet me disa nga banorët janë parë jashtë si bullizime të tepruara ndaj saj.
Ndërkohë, lajmi ka ngjallur reagime të shumta nga fansat, të cilët kanë shprehur mbështetje dhe urime për shërim të plotë, ndërsa pritet me interes çdo përditësim i radhës nga “Big Brother VIP Kosova”.








