Tom Cruise ka hyrë në histori këtë vit: pas 44 vitesh karrierë, aktori 63-vjeçar u nderua për herë të parë me një çmim Oscar, duke marrë Academy Honorary Award në ceremoninë e 16-të të Governors Awards, të mbajtur në Los Anxhelos. Akademia e vlerësoi aktorin për përkushtimin e tij afatgjatë ndaj kinemasë dhe ndikimin e tij në industrinë e filmave aksion.
Në skenë, Cruise u shfaq i emocionuar dhe foli hapur për lidhjen e tij me artin:
“Të bësh filma nuk është thjesht një punë — është një mënyrë për të treguar se kush jam,” deklaroi ai. Ai shtoi se:
“Filmat më çojnë anembanë botës, më ndihmojnë të kuptoj e të respektoj kultura të ndryshme dhe, mbi të gjitha, të tregoj sa shumë i ngjashëm është secili prej nesh. Brenda një salle kinemaje, qeshim bashkë, ndiejmë bashkë dhe shpresojmë bashkë. Kjo është fuqia e kinemasë.”
Me humor, ai shtoi edhe një premtim:
“Do të vazhdoj të bëj gjithçka që mundem për filmin. Sigurisht, shpresoj që të mos më thyhen më eshtra.”
Pavarësisht katër nominimeve ndër vite, Cruise nuk kishte fituar kurrë më parë një Oscar. Karriera e tij ka qenë e fokusuar kryesisht tek superproduksionet aksion, gjë që shpesh e ka larguar nga preferencat tradicionale të Akademisë.
Sipas mediave ndërkombëtare, menjëherë pas ceremonisë Cruise kaloi rreth një orë duke takuar dhe përshëndetur mbi një mijë pjesëmarrës. Ai tashmë është në përgatitje për filmin e tij të ri me Alejandro González Iñárritu, i cili e cilësoi aktorin me fjalët:
“Tom Cruise nuk është thjesht një kineast, ai është vetë kinemaja. Ky mund të jetë Oscar-i i tij i parë, por nuk do të jetë i fundit.”








