Neada Muçaj ka folur për herë të parë për largimin e saj nga Top Channel, një situatë që në atë kohë u shoqërua me shumë zhurmë dhe aludime për konflikt me kolegen Enxhi Nasufi në emisionin Wake Up. E ftuar në X-Press, ajo dha versionin e saj për atë që ndodhi.
Në fillim, Neada theksoi se mënyra si u trajtua situata nuk ishte e drejtë dhe se shumë gjëra mbetën pa u sqaruar publikisht. Sipas saj, largimi nuk u bë në mënyrën e duhur dhe pati mungesë transparence.
“Duke marrë parasysh të gjithë situatën, mënyrën se si ndodhën gjërat, unë mendoj që nuk është një formë për ta shkëputur një njeri apo për ta hequr nga gjërat që ai do, sepse shumë gjëra nuk janë folur dhe nuk janë sqaruar. Mua nuk më pëlqeu fare si situatë dhe qëllimi i saj ishte patjetër që unë të bëhesha pjesë e një formati shumë të ndjekur. Pra, ishte oferta më e mirë e mundshme për mua. Nuk ka diçka të vërtetë pas atyre titujve, unë nuk jam një njeri që konfliktohem në vendin e punës. Ka njerëz që kështu duan të ecin në jetë, përmes skenarëve të ndryshëm dhe unë u gjenda pa dëshirën time. Ishte surprizë për mua, të them të drejtën. Ka pasur një provokim të vogël, që ka ndodhur gjatë një shkëputjeje publicitare kur kemi qenë në transmetim. Nuk ka pasur një sherr fizik, por është e vetmja formë që ti të bësh zhurmë dhe, për sa kohë zhurma shet, bujrum, jepi, jepi gaz”, ka thënë ajo.







