Kristi Lamaj, një nga figurat më të spikatura të këtij sezoni të “Big Brother VIP Albania”, ka zgjedhur të flasë hapur për vendimin e tij për t’u larguar nga loja, një vendim që, sipas tij, nuk ishte thjesht strategjik, por thellësisht personal. Në një rrëfim në Top Story me Grida Duma, që tingëllon më shumë si reflektim i brendshëm sesa si analizë loje, ai hedh dritë mbi atë që e quan “luftë e brendshme”.
“Unë vendosa të largohem për shkak të luftës së brendshme ‘deri ku do shkosh’. Aty është një reality show, e rëndësishme është të mbahesh mend. Unë mendoj që mbahem mend. Unë u ngjita te ai mur dhe nuk zbrita”, u shpreh Kristi, duke e kthyer vendimin e tij në një deklaratë identiteti, më shumë sesa një dorëzim.
Por përtej këtij momenti, ai e sheh eksperiencën si një proces njohjeje të thellë me veten. “Është një nga ato eksperiencat që shënojnë në jetë. Ajo njohja më e mundimshme është të njohësh veten. Unë kam parë Big Brother dhe e njihja kapacitetin tim. Mendoja që mund ta bëja, e kisha ndjekur formatin. Aty brenda është një magji, e njeh veten në të gjitha dimensionet. E gjithë qenia njihet. Jemi të përbërë nga e mira dhe nga e keqja, ti kupton ku është limiti”. Një reflektim që e zhvendos narrativën nga loja tek njeriu.
Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe thelbi i historisë së tij, jo sa larg shkoi në lojë, por sa thellë shkoi brenda vetes. Sepse në fund, për disa, Big Brother nuk është vetëm një garë por është një pasqyrë që nuk të lejon të shmangesh nga vetja.








