Pasi u përjashtua nga shtëpia e “Big Brother VIP Albania”, Greta ka reaguar publikisht për situatën që ndezi debat në spektakël. E ftuar në emisionin “Fan Club”, ajo u përball me komentet dhe reagimet që pasuan deklaratën e saj ndaj Juelës, duke zgjedhur të marrë përgjegjësinë për fjalët e thëna dhe të kërkojë falje publikisht për familjen e saj.
“Familja ime dhe ajo e Selin janë shumë krenare për mua dhe më kanë mbështetur gjithmonë. Por edhe ata janë ndjerë të ofenduar nga disa fjalë që janë thënë. Unë i marr përsipër të gjitha ato që kam thënë dhe i kërkoj falje familjes së Juelës. Edhe mua më janë thënë gjëra të ngjashme, ndonëse ndonjëherë të kamufluara. Familja ime është mërzitur për ato që janë thënë ndaj meje”, u shpreh Greta gjatë intervistës, duke pranuar se situata kishte kaluar kufijtë e një debati të zakonshëm televiziv.
Gjatë bisedës, ish-banorja komentoi edhe dinamikat mes banorëve të shtëpisë, duke u ndalur veçanërisht te raporti mes Selin dhe Mirit. Sipas saj, afrimiteti i tyre ishte më shumë pjesë e strategjisë së lojës sesa një ndjenjë reale.
“Selin nuk ndjen asgjë për Mirin, ishte më shumë një strategji loje dhe mendoj se ka vepruar mirë në atë drejtim. Rrethanat e çuan në një situatë nga e cila nuk doli dot. Nga ana tjetër, Miri ka një tendencë të afrohet me vajzat e shtëpisë, duket sikur ka një lloj tërheqjeje ndaj tyre”, deklaroi ajo, duke rikthyer vëmendjen te tensionet dhe strategjitë që vazhdojnë të dominojnë lojën edhe jashtë shtëpisë së BBV.








