Në një intervistë për Grida Duma Podcast, aktorja e njohur Mariana Kondi ka ndarë rrallëherë detaje personale mbi marrëdhënien me të atin, me të cilin nuk ishte takuar për rreth 50 vite.
Ajo tregoi se, në momentin e takimit pas kaq shumë kohësh, nuk përjetoi ndonjë ndjesi të veçantë. Sipas saj, kur rritesh pa praninë e një prindi, mësohesh me mungesën e tij dhe kjo bëhet pjesë e natyrshme e jetës. Madje, ajo u shpreh se lidhja emocionale me babanë e saj ishte aq e dobët, saqë në një zgjedhje hipotetike mes tij dhe vjehrrit, do të zgjidhte pa hezitim këtë të fundit.
“Pas 50 vitesh, kur e takon, thjesht e sheh dhe e imagjinon… Nëse do të më pyesnin të zgjidhja mes babait tim dhe babait të Tanit, do të zgjidhja babanë e Tanit. Ai ishte njeriu që më qëndronte pranë, më sillte kafe dhe më mësonte shumë gjëra. Kur ke një rehati dhe kujdes të tillë, është e natyrshme ta duash. Unë nuk e kam pasur këtë me babanë tim,” u shpreh ajo.
Duke rikujtuar fëmijërinë e saj pa baba, aktorja ndau edhe vështirësitë dhe sakrificat e mëdha të nënës së saj për t’i rritur fëmijët. Megjithatë, ajo zgjodhi të mos zbulojë arsyet e largimit të të atit.
“Nuk ka një person të tretë, por është një histori që nuk tregohet. Mamaja ime nuk u dashurua më kurrë, edhe pse ishte një grua shumë e bukur. Ajo ishte bjonde me sy blu dhe shumë e pëlqyer, por kurrë nuk foli keq për të. Edhe kur ne nuk e takonim babanë, ajo nuk reagonte. Kur u martova, e pyeta pse nuk kishte bërë një zgjedhje tjetër në jetë, por ajo më thoshte: ‘Kur ju shoh ju mirë, edhe unë jam mirë’,” përfundoi Mariana Kondi.








