Zërat që përflasin aktorin Elvis Pupa për përfshirje në një rast të madh të kultivimit të kanabisit në Australi dhe ndërhyrje të paligjshme në rrjetin e energjisë elektrike, kanë qarkulluar me shpejtësi në media. Sot, vetë aktori ka reaguar për herë të parë ndaj këtyre akuzave.
Në një deklaratë publike, Pupa i ka cilësuar këto raportime si të pavërteta dhe tendencioze.
“Jam i detyruar të reagoj pas disa lajmeve të pavërteta dhe keqdashëse që po qarkullojnë në media, sipas të cilave unë gjoja ‘jam arratisur’ dhe ‘ndodhem në kërkim’. Dua ta bëj shumë të qartë: prej më shumë se një muaji ndodhem në Tiranë, ku po zhvilloj angazhime të rregullta profesionale, të planifikuara në Shqipëri dhe më gjerë në Europe.”
Ai nënvizon se mediat po e trajtojnë çështjen me sensacionalizëm, duke deformuar realitetin për të krijuar zhurmë mediatike pa baza.
“Çdo përpjekje për ta paraqitur ketë situatë ndryshe eshtë një manipulim i paster i informacionit, një keqinterpretimi qëllimshëm që synon të bëjë lajm aty ku nuk ka asgjë të jashtëzakonshme.”
Edhe emri i bashkëshortes së tij, Belina, është përmendur në media, por aktori thekson se ajo vazhdon punën e saj si zakonisht dhe nuk ka kufizime ligjore.
“Sa i përket bashkëshortes sime, Belina, ajo vazhdon aktivitetin e saj profesional dhe është plotesisht e lirë. E gjithë situata që po trajtohet aktualisht është pjesë e një procesi ligjor që është ende në zhvillim, dhe siç është shprehur edhe ajo vetë, i takon drejtësisë të flasë e fundit.”
Ai kritikon ashpër mënyrën se si lajmi është trajtuar në publik.
“Fatkeqësisht, kemi parë një keqpërdorim të rëndë të lajmit, me qëllim sensacionalizmi dhe klikimesh, ku deformimi ka marrë vendin e të vërtetës. Jetët tona janë publike, por kjo nuk i jep askujt të drejtën të abuzojë me dinjitetin e njerëzve.”
Në përmbyllje, Elvis Pupa siguron publikun se ai dhe familja e tij do të përballen me gjithçka me qetësi dhe transparencë.
“Jeta vazhdon normalisht, me punën dhe pergjegjësitë tona të përditshme. Ne do të perballojmë çdo situatë me qetësi, transparencë dhe respekt për të vërtetën.”
“Faleminderit për mirëkuptimin dhe mbështetjen që shumë prej jush na kanë treguar.”








