Njeriu e ka që në gjenezë lëvizjen, pa të nuk jeton dot dhe po të shpjegosh historinë e njerëzimit, apo historinë botërore dashur pa dashur gjithë këtë metaforikisht e përshkruajmë me fjalën udhëtim….
Udhëtoni për mendjen! Sa më shumë të udhëtoni aq më shumë horizonti juaj zgjerohet, dhe sa më shumë zgjerohet horizonti juaj, ju aq më shumë rriteni, dhe sa më shumë rriteni jeni më tepër të predispozuar të merrni vendimet e duhura, të zgjidhni rrugët e duhura dhe të arrni atje ku synoni!
Udhëtoni për shpirtin! Ju e dini që shpirti shërohet nga e bukura, nga një shije e re, nga një peisazh marrafrymës, nga një takim i ri, nga një njohje e re, nga një ditë e mbushur me emocione dhe telashe, me humbje rrugësh, nga të mbeturit e pangrënë, nga të ngatërruarit e orareve, nga një bisedë, nga një buzëqeshje, nga një përqafim, udhëto të gjesh ata që të mohohen…
Udhëto për trupin! Trupi do të falenderojë më vonë, lëviz gjithmonë, mos e lër trupin të zërë dhjam, se pas dhjamit myku vjen shumë shpejt, udhëto dhe lëviz sa më shumë të mundesh, shih sa më shumë të mundesh, ndërto kujtime para se të kthehesh në një të tillë…
Udhëto që të mos ndihesh kurrë i burgosur i vetes tënde apo realitetit përreth, udhëto që të të ndodhë diçka e re, udhëto që të harrosh përvojat që të kanë bërë të qash, udhëto që të mësosh sesi qeshet, sesi jetohet nga përvoja të ndryshme, sesi bërtitet, dhe sesi rrihet zgjuar e mos të të vijë gjumë!
Udhëto! Edhe sikur të ndodhin 1 milion të këqijat prapë ia vlen barra qeranë, dhe e dini pse ? Sepse vetëm atëherë keni kuptuar që keni jetuar, keni jetuar me të vërtetë!
Udhëtoni që të jetoni!







