Ministri i Kulturës i Ukrainës është ankuar te “Netflix” për mënyrën si është portretizuar një personazh nga Kievi në “Emily në Paris”.
Në disa episode të sezonit të dytë të serialit të njohur shfaqet një vajzë me emrin Petra, e cila është nga Ukraina dhe njihet me protagonisten në një kurs frëngjishteje. Ajo bëhet mikeshë me Emily dhe në një nga episodet vjedh në një dyqan.
Oleksandr Tkachenko merr shkas nga këto ngjarje për ta përshkruar imazhin e Petrës si fyes. “Në ‘Emily në Paris’, ne kemi një imazh karikaturë të një gruaje ukrainase që është e papranueshme. Është gjithashtu fyese,” shkroi ai në Telegram.
Petra, e cila luhet nga aktorja ukrainase Daria Panchenko, portretizohet gjithashtu si një vajzë me sens të dobët të modës. Sipas mediave ukrainase, Tkachenko i ka dërguar një letër “Netflix” duke u ankuar për portretizimin e personazhit./revistawho.com