Në 15 maj 2018 Urani kalon në shenjën e Demit dhe do të qëndrojë aty, në fazë të parë, deri në nëntor të 2018 për t’u rikthyer përfundimisht dhe për të vazhduar udhëtimin e tij shtatëvjeçar në 6 mars të 2019 deri në 26 prill të 2026. Kalimi Uranit në shenjën e Demit koincidon me Hënën e Re në të njëjtën shenjë në 15 maj. Hëna e Re në përgjithësi sjell fillime të reja, por kjo Hënë e Re nuk është e zakonshme, pasi këtë herë kemi fillimin dhe inagurimin e një epoke të re, e një periudhe shtatëvjeçare që do të karakterizohet nga ndryshime të papritura dhe të befasishme, kryesisht në sferën financiare, por dhe në atë politike dhe sociale, për disa prej të cilave do të flasim më poshtë.
Urani, planeti “rebel”, revolucionar, antikomformist, novator, humanist dhe altruist hyn në shenjën sensuale dhe konservatore të Demit. Demi ka nevojë për stabilitet dhe siguri, siguri në sferën financiare apo materiale, po ashtu dhe në atë sentimentale. Demi është sensual, i pëlqen të shijojë kënaqësitë e jetës, është i lidhur ngushtë me pasurinë e tij, me të dashurit e tij, me pak fjalë me ato që ai posedon. Është i ngadaltë, por i kujdesshëm dhe praktik dhe kur ai bën zgjedhjen dhe ka marrë vendimet, asgjë dhe askush nuk mund ta ndaloj atë, ai shkon deri në fund të ideve dhe të bindjeve të tij. Pra shikojmë se Urani është në kundërshtim me natyrën e Demit prandaj dhe përfaqësuesit e shenjës së Demit do të vështirësohen pak, të dalin nga rutina që u pëlqen dhe të përshtaten me ndryshimet e papritura që do t’ju sjell Urani gjatë qëndrimit në shenjën e tyre. Pra me pak fjalë, Urani do të sjellë ndryshime të papritura, të shpejta, që nuk i kemi të parashikuara dhe që mund të na befasojnë dhe deri në nëntor të 2018-ës ndikimin e tij do ta ndjejnë të lindurit në 3-4 ditët e para të shenjës së Demit, Akrepit, Ujorit, Luanit, Virgjëreshës dhe Bricjapit. Njëkohësisht ndikimin e tij do ta ndjejnë dhe ata që kanë Oroskopin si dhe planete personale (për shembull Hënën, Marsin, Venusin, Mërkurin) që në 0 deri në 3 gradë të shenjave që thashë më lart. Kuptohet se çdo gjë varet nga horoskopi personal, nga fusha apo “shtëpia” ku do të ndikoj ai si dhe nga aspektet që krijon lidhur me horoskopin tuaj. Prandaj do të përqendrohem për momentin në aspektet që janë më të rëndësishme brenda 2018-tës. Menjëherë pas hyrjes së tij në shenjën e Demit, të nesërmen në 16/5 hyn dhe Marsi në shenjën e Ujorit duke krijuar kështu një aspekt jo harmonik ndërmjet tyre. Marsi, ky planet mjaft dinamik, do të qëndrojë për një kohë të gjatë tek Ujori dhe do takohet dhe dy herë të tjera me Uranin në 2 gusht në kursin e tij retrogradë dhe në 19 shtator, prandaj dhe ky aspekt do të na preokupoj shumë. Ky aspekt sjell situata shpërthyese, konflikte të ashpra, tendenca agresive, por dhe tendenca për aksidente. Ndikimi i këtij aspekti do të jetë shumë energjik, sidomos gjatë eklipseve që do të ndodhin në muajin korrik, por veçanërisht në Eklipsin total të Hënës në 27 korrik të këtij viti, prandaj mund të flasim për një verë të “nxehtë” në kuptimin e plotë metaforik të fjalës. Si rezultat gjatë gjithë kësaj periudhe do të kemi një ambient politik dhe shoqëror “militant”, me incidente, ndërsa në sferën personale do të kemi ndarje, konflikte, veprime të kryera me nervozizëm dhe padurim, probleme kardiologjike më të theksuara etj. Kujdes të veçantë të kenë përfaqësuesit e shenjës së Demit, të Ujorit ,të Akrepit dhe të Luanit të lindur në 4-5 ditët e para të shenjës. Përveç këtij aspekti për 2018-ën është shumë i rëndësishëm aspekti në lidhje harmonike të Uranit me Saturnin duke sjellë ndryshime pozitive dhe të qëndrueshme në përfaqësuesit e shenjës së Virgjëreshës dhe të Bricjapit të lindur në 3 ditët e para të shenjës. Ky aspekt do të na ndihmojë të mësojmë se nuk ka liri personale pa kuptuar përgjegjësitë dhe detyrimet tona ndaj grupit social ku përkasim. Nuk ekziston mundësia të futem në hollësira, por dua të them se ata që në horoskopin e tyre kanë aspektin Saturn-Uran do ta ndjejnë këtë ndikim. Për shembull, për të lindurit rreth viteve nëntor 1987 dhe tetor 1989, të cilët kanë këto dy planete në lidhje të ngushtë në horoskopin e tyre, do të jetë fillimi i një kapitulli të ri. Për disa do të jetë realizimi i një çështjeje të shumëpritur, një moment i rëndësishëm për marrjen e vendimeve, për disa të tjerë një ndryshim orientimi, por do të jenë dhe ata që do të kalojnë vështirësi.
Të lëmë mënjanë sferën personale dhe të flasim se çfarë do të sjellë Urani në përgjithësi në botën ku ne jetojmë dhe jemi pjesë e saj dhe shumë gjëra do të ndikojnë dhe tek ne. Kuptohet që të nxjerrim konkluzione nuk studiojmë vetëm Uranin, por ciklin e tij në bashkëpunim me ciklin e planeteve të tjera gjatë viteve. Mund të flasim për shumë gjëra që do të ndryshojnë gjatë këtyre 7 viteve për shembull: rishikimi dhe rikthimi i vlerave morale, një revolucion në sferën e produkteve ushqimore lidhur me cilësinë dhe çmimet e tyre, ndryshime në sferën bujqësore dhe një zhvillim i teknologjisë së saj, një ndjeshmëri më të madhe ekologjike që të shpëtojmë mëmën Tokë, tendenca të reja në modë, produkte bukurie herbale, teknologji të reja në fushën e estetikës, rryma të reja artistike etj. Por do të përqendrohem në sferën financiare që na intereson të gjithëve shumë.
Në sferën financiare do të kemi pastabilitet, çrregullime si dhe riklasifikime serioze. Do të shikojmë shoqëri apo biznese kolosale të gjenden në krizë dhe të tjerë që deri tani nuk i njohim të dalin në sipërfaqe. Aleancat ekonomike dhe monetare do të njohin krizë dhe flas këtu për Bashkimin Europian, ekziston rreziku të kemi ndryshime brenda saj si dhe lidhur me monedhën Euro dhe jo vetëm. Gjatë kësaj periudhe nuk do të ngelet jashtë loje sistemi bankar pasi ekziston rreziku i një krize të “ re” financiare apo në tregun e aksioneve. Nuk ka arsye shqetësimi gjithmonë kanë ekzistuar probleme të kësaj natyre, por për këtë periudhë zgjidhja ose çelësi është: të jeni parashikues, novatorë dhe të krijoni kushte për pavarësinë dhe lirinë tuaj ekonomike.