Një moment i ngrohtë familjar është kthyer në një nga postimet më të ndjera të ditës në rrjetet sociale. Moderatorja e njohur Elita Rudi ka festuar ditëlindjen e pestë të vajzës së saj, Bota Gjikolli, duke ndarë me ndjekësit një fotografi emocionale nga dita e lindjes së vogëlushes dhe një dedikim të mbushur me dashuri.
Në mesazhin e saj publik, Elita zgjodhi fjalë të ndjera për të përshkruar vendin që vajza e saj zë në jetën e familjes. Ajo shkroi fjalë për fjalë:
“Bota ime, ti je surpriza më e bukur e jetës sime. Me ardhjen tënde familja jonë u bë e plotë. Na solle dashuri, zhurmë të ëmbël dhe kuptim në çdo ditë. Sot bën 5 vjet, krenaria ime”.
Postimi i moderatores u prit me shumë reagime nga fansat dhe miqtë, të cilët i uruan vogëlushes ditëlindjen dhe përgëzuan familjen për momentin e veçantë. Elita dhe bashkëshorti i saj, reperi Gjiko, janë prindër të dy fëmijëve, një djali me emrin Zëri, dhe vajzës së tyre Bota, e cila duket se është “engjëlli i vogël” që ka sjellë edhe më shumë gëzim në familje.









