Një bisedë me yllin shqiptar… Si është të jesh nëna e tre fëmijëve? A do të mësojnë ata shqip? Cilat janë lojërat e tyre të preferuara? Një rrëfim për shtëpinë, rritjen e të vegjëlve dhe reagimet e binjakëve e djalit të madh (vetëm 2 vjeç)…
Nga Eraldo Rexho
Kohët kur ishte e lirë janë të largëta tashmë. Ditët e saja sillen mes tre trazovaçëve: Aiden, Elira dhe Brendon. Valbona Çoba, nga ikonë e bukurisë është kthyer në një ikonë të familjes, që i kushtohet tërë kohës rritjes dhe dashurisë së tre fëmijëve. Biblioteka është bërë dhomë lodrash, kohët që kalonte si një bukuroshe e lirë, janë kthyer në çaste krijuese për pjatat e tre të vegjëlve. Tani ajo ngjit e zbret shkallë me vogëlushët, qesh me fjalët e tyre thënë përgjysëm, gëzohet me përqafimet, endet pas pasioneve të tyre, lexon libra me përralla, kërcen me muzikën që duan ata… Sepse, të jesh një nënë e mirë është shumë e rëndësishme për fëmijët. Dhe Çoba u është kushtuar vetëm atyre. Në një intervistë për “revistawho.com” ajo rrëfen jetën e saj mes tyre, pa pendesë për çfarë i është dashur të humbasë, por me psherëtimën që nuk i ka shijuar sa duhet. Sot, një vit pasi familja e saj është shtuar me dy binjakë, Bona kupton se koha kalon shpejt dhe se dy bebet tashmë kanë pasione, kërcejnë, kuptojnë, reagojnë, ndiejnë dhe madje presin njëri-tjetrin. Çastet rrëshqasin drejt kujtimesh dhe e tashmja bëhet e shkuar, fëmijët që dikur vetëm qanin tani po ecin, ndaj ajo ruan me dashuri çdo moment dhe i shijon atë…
Valbona, takohemi 1 vit më pas… Me binjakët dhe Aiden, të rritur tashmë. Çfarë ka ndodhur gjatë këtyre 365 ditëve në familjen Christopher?
Kanë kaluar 365 ditë, po në fakt tani më duket sikur kanë kaluar vetëm 25. Koha ecën me ritme më të shpejta se sa unë mbaj mend. Kur i shikoj fëmijët çuditem sa të rritur më duken dhe s’e di ku dhe si kaloi ajo periudhë kur ata ishin bebe. Përpara disa ditësh “Facebook-u” më kujtoi për një postim që kisha bërë një vit më parë. Një foto e binjakëve të porsalindur. Nuk më besohej që ka kaluar një vit. Ditët janë kaq të ngjeshura e plot veprimtari, kërkesa, ngjarje, stres, kënaqësi, lodhje, dashuri, sa është vështirë që koha të ecë ngadalë e të ndalosh t’i shijosh një e nga një.
Sa e vështirë ka qenë për mami Bonën rritja e binjakëve?
Do të gënjeja po të thosha që ka qenë e lehtë. Sigurisht që prisja të ishte e vështirë. Por tani që e kam jetuar dhe vazhdoj ta përjetoj, oh them, asgjë s’të përgatit për rritjen e tre fëmijëve njëherësh. Aq më tepër që janë shumë afër me moshë dhe të tre akoma të vegjël. Jam e vetëdijshme që nuk jam as nëna e parë e as e fundit që rrit 3 fëmijë. Por të gjitha këto nëna s’e kanë pasur të lehtë.
Sa të ka ndihmuar Todd?
Në fakt kjo pyetje nuk është shumë e drejtë për Toddin. Sepse sigurisht që ai nuk ndodhet në shtëpi gjatë orëve të ditës. Ndërsa unë jam me to 24 orë. Por kur ndodhet në shtëpi sigurisht që çdo moment e kalojmë së bashku. Ai nuk i sheh këto orë si ndihmë për mua, por si momente që i përkasin babait dhe fëmijës. Është e rëndësishme për atë vetë që të tre fëmijët të kenë praninë e tij. Është e rëndësishme për të gjithë ne, të kemi një lidhje të harmonizuar dhe të ekuilibruar.
Si është të jesh nëna e dy fëmijëve identikë?
Nëse më parë mund të bëja dy gjëra në të njëjtën kohë, tani duhet të bëj 3 apo 4, apo më shumë, varet nga lloji i ditës. S’ka më asnjë moment bosh. Çdo i tillë është i mbushur me ndjenja njerëzore, disa prej të cilave s’i njihja që ekzistonin. Dhe çdo ndjenjë është e dyfishtë. Ata nuk janë identikë dhe po kështu dhe personalitetet e tyre nuk janë të tillë. Por, në fakt edhe Todd me të vëllain e tij, megjithëse janë binjakë identikë, janë të ndryshëm në personalitet. Elira është më e afruar me njerëzit që s’i ka takuar më parë. Ndërsa Brendon është më pak. Por të dy pëlqejnë muzikën dhe të dy fillojnë “kërcejnë” (nëse mund ta quaj kështu) sapo dëgjojnë nota muzikore. Të dy i pëlqejnë librat. Por Brendon pasi shfleton faqen e parë, nëse s’i pëlqen, e hedh në tokë. Ndërsa Elira do e shfletojë deri në fund. Brendon ka më shumë durim me lodrat. Mund të rrijë me minuta të tëra derisa të ketë mësuar apo provuar çdo gjë që ajo lodër bën. Ndërsa Elira nuk kalon shumë kohë me një lodër. Është magjike t’i shohësh si rriten, si ndryshojnë. Nga dita në ditë të kuptosh diçka më shumë prej tyre.
Thuhet që binjakët reagojnë njësoj, madje thonë që kur pushon njëri së qari fillon tjetri?
Hmmm s’mund të them që ndodh kështu. E kam fjalën më shumë për reagimin kundrejt lodrave ose ngjarjeve të ditës. Patjetër që ata kanë një lidhje të padiskutuar mes njeri-tjetrit. Përshembull kur i vë të flenë asnjë prej tyre nuk shtrihet në krevat pa ardhur tjetri. Elira rri në këmbë në krevatin e saj derisa vjen Brendon në krevatin e tij dhe po kështu edhe Brendon. Nëse është ai i pari që shkon në dhomë, rri në këmbë në krevatin e tij, derisa të vijë dhe Elira. Por gjatë ditës ata janë dy fëmijë të ndryshëm që reagojnë ndryshe ndaj gjërave. Por nëse njëri luan me një lodër, atëherë tjetri do e lërë atë që kishte deri në atë moment dhe se s’bën do të dojë pikërisht atë me të cilën luan vëllai apo motra. Nuk i lëshojnë aspak pe njëri-tjetrit, përkundrazi bëhen shumë kompetitivë midis tyre. Përsa i përket të qarës, po është e vërtetë që sa fillon njëri vazhdon tjetri. Në fakt është pothuajse qesharake, sepse është e qartë qe kush është i dyti/dyta (në të qarë) duket qe s’e ka idenë pse po qahet, thjesht mendon se kështu duhet bërë. Vetëm t’i shohësh në këtë moment. Është mrekulli (qesh).
A janë ata fëmijë të lëvizshëm? Qaramanë?
Shumë të lëvizshëm. Brendon më shumë se Elira. Por të dy janë tërë kohës në lëvizje. Tani sapo kanë filluar të ecin të dy dhe është më vështirë për mua. Po për ta është më emocionuese apo ngacmuese mund të them. Të dy pëlqejnë shumë të jenë në ambiente të jashtme. Nuk dinë të rrinë gjatë në të njëjtin vend. Sa i përket të qarës, nuk janë fare qaramanë. Brendon është gjithmonë më sensitiv se Elira. Gjithmonë më i paduruar. Si rrjedhojë, është gjithmonë Brendon ai që të lë të kuptosh që nuk është i kënaqur. Nuk mund të them që është qaraman, por “bën” sikur është gati për të filluar të qarët. Është më shumë si paralajmërim. E vërteta është që Aiden gjithmonë ngacmon më shumë Brendon dhe ndoshta prandaj ai është dhe më sensitiv. Elira është sensitive përsa i përket vëllezerve. Nëse dikush qan, Elira mërzitet shpejt. Që tani ajo ka instiktet femërore. Është shumë protektive ndaj të dy vëllezërve.
Çfarë lojërash bëni në shtëpi?
S’është e lehtë të mbash 3 fëmijë të vegjël në shtëpi e t’i kënaqësh gjithë kohës. Fëmijët kanë dhomën e tyre të lojërave. Në fakt ishte dhomë bibliotekë dhe ne e kthyem për lodrat e tyre. Të gjithë raftet ku duhet të ishin vendosur libra, janë të mbushur me lodra. Po është praktike. Se kështu ata kanë mundësi t’i shohin e të zgjedhin atë lojë që dëshirojnë. Një pjesë e madhe e bibliotekës është e mbushur me libra, por me librat e tyre. Në fakt të tre i kanë shumë qejf librat. Mund të kalosh gati një orë me to duke lexuar një libër dhe ata kënaqen. Kanë shumë qejf edhe të ngjisin shkallët. Shtëpia është dykatëshe dhe gjëja më e preferuar e tyre është t’i ngjisin. S’kanë mësuar ende t’i zbresin (qesh). Është e çuditshme, por ndonjëhere gjërat që s’të shkojnë në mendje janë ato që i zbavisin ata më shumë edhe se lodrat e shtrenjta.
Kur do ta vizitojnë ata Shqipërinë?
Thjesht për ta ditur, Aiden sa herë që flasim në FaceTime apo Skype me motrën time Eda dhe nipin tim Bjorn thotë, ‘mami dua të iki tani në Tiranë të rri me ta’. I them unë: ‘Po Tirana është në Shqipëri dhe që të ikim atje duhet të marrim biletë dhe pastaj të shkojmë në aeroport të nisemi’. Aiden thotë: ‘Ok mami, hajde ikim në supermarket, marrim një bilete që të shkojmë në aeroport e të nisemi për Albania’ (qesh). Kam shumë shumë dëshire që të tre fëmijët të vizitojnë Shqipërinë. Por e vërteta është se kjo gjë s’është aspak e lehtë. Të paktën dhe për një vit tjetër. Më pas të shohim. Mbase të gjithë vijmë të vizitojmë atdheun e mamit.
Do t’ua mësosh fëmijëve shqipen?
Sigurisht që ata do flasin shqip. Kjo është absolute. Aiden kupton shqip, çdo gjë. Por përgjigjet në anglisht. Them se kur të vijmë në Shqipëri, dy tre ditët e para sa të mesohet do jenë akoma me përgjigje anglisht. Por vetëm kaq. Po kështu dhe binjakëve. Do ju mjaftojnë vetëm disa ditë dhe më pas do flasin të gjithë shqip. Unë ju flas shqip tërë kohën. Dhe ata e kuptojnë se çfarë them. Besoj që nuk e kuptojnë akoma, që ata flasin gjuhë të ndryshme. Thjesht kuptojnë çfare thuhet.
Ti i je kthyer aktivitetit, me çfarë po merresh tani?
Jo, sigurisht që jo. Nuk gënjej dot. Më mungon jeta e mëparshme, në momente të caktuara. Në shtëpi është kaq stresuese, e lodhshme, pa pushim. Çdo gjë është vrap e vrap. S’ka kohë të marrësh frymë, e të ulesh e të shijosh momentin. Dhe e di që tani, që do të më mungojë kjo kohë. Do shikoj mbrapa e do them “ah sikur vetëm t’i kisha shijuar ato momente më shumë”.
Bona si zonjë shtëpie, si i ka raportet me kuzhinën? Çfarë gatimesh përgatit?
Përsa i përket fëmijëve çdo gjë e gatuaj vetë. Të gjitha ushqimet e tyre janë organike dhe çdo gjë e gatuar është nga duart e mia. Sigurisht jo të gjithë e bëjnë këtë. Unë kam shoqe të cilat thjesht i blejnë ushqimet për fëmijët e tyre. Por unë në fakt e kam dhe me shumë qejf gatimin. Çdo gjë krijuese më bën të jem kurioze përsa i përket aftësive të mia. Dhe gatimi është i tillë. Kur jam në supermarket dhe shikoj sa mundësi kam të krijoj diçka vërtet të mrekullueshme, ndihem e vetëkënaqur dhe më eksiton (në kuptimin më të thjeshtë të fjalës) ideja e krijimit të një ushqimi për fëmijët e mi. Dhe s’do të jetë një ushqim i thjesht apo i mërzitshëm i blerë në dyqan. Do të jetë një krijim i imi, thjesht nga dashuria për ta.