Andi Vrapi
Kur nis një këngë, mjafton të dalë njëri dhe më pas dalin të gjithë në valle, dorë për dore.
Vallen e të ashtuquajturave “kritika” të Festivalit të 58-të të Këngës e nisi Diana Ziu e më pas, në këtë valle do të futeshin të gjithë, me kompozitorë, me poetë, edhe ca këngëtarë po ashtu dhe sigurisht, nuk do të mungonin kritikët muzikorë të ‘Facebook-ut’ dhe ‘Instagram-it’.
Pikë së pari, dua ta nis me kompozitoren e njohur Diana Ziu, e cila nga askundi doli para pak muajsh në të gjitha mediat duke u ankuar se kënga e saj nuk ishte bërë dot pjesë e garës së ‘FiK’ ’58 dhe jo vetëm kaq, por me shpatë në dorë filloi të qëllonte mbi regjisoren e këtij festivalit, Vera Grabocka duke u shprehur se Elvana Gjata kishte paguar 100,000 euro për vendin e parë dhe se tashmë fituesi ishte vendosur. Pyetja ime është, ligji i shpifjes do ta kapë zonjën Ziu për këtë shpifje publike të bërë në të gjitha mediat në vend?
Këto ditë kam lexuar dhjetëra statuse apo shkrime nga kompozitorë, që pak i njihja dhe shumë nuk i kisha dëgjuar ndonjëherë, poetë, muzikantë që kritikonin pafund ‘Fest 58. Çfarë më bëri përshtypje?
- Të gjithë këta muzikantë ose kanë hequr dorë nga muzika prej vitesh, ose bëjnë muzikë alla vitet ’80.
- Të gjithë ishin jashtë ‘Fest 58 (që këtu lind konflikti i interesit).
“Kur vjen Festivali, njerëzit dhe publiku presin mrekullinë. Presin festën e fundvitit që kanë qenë mësuar ta konsumojnë bashkë me gjelin e Vitit te ri. Presin këngë që të këndohen të nesërmen e prezantimit në skenë.”, – shkruan Pandi Laço një ditë pas finales së Festivalit. Jo Pandi. Ka mbi 20 vite që shumica e publikut edhe fituesin e Festivalit e mëson nga edicioni i lajmeve të nesërmen e finales, jo më të hajë gjelin. Për 20 vite, interesi për festivalin ishte zbehur, shkëlqimi kishte rënë dhe kishin mbetur vetëm dritat dhe ‘ledwall-et’ e muzika jehonte sikur të ishte larg.
Ama, këtë vit, kisha plot 20 këngë që i luaja çdo ditë në makinë, i dëgjoja në radio, i dëgjoja edhe në ‘club-e’, në koncerte. Madje, edhe rrjetet sociale ishin të mbushura plot me këto 20 këngë. Këtë vit, të gjithë miqtë e mi, por jo vetëm, vraponin të blinin biletat për të parë tre netët ‘live’ të këtij festivali. Këtë vit, të 20 këngët konkurruese ishin të përshtatura me rrymat moderne të muzikës. Këtë vit, kishim për herë të parë muzikë pop, ‘rnb’, ‘dance’, ‘afrobeat’, ‘disco-style’ apo rryma ‘hibride’, që të inkorporuara me orkestrën simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar sollën një edicion unik në këtë festival.
Ndoshta dikush që është mbi të 35-at nuk i ngjisin këto lloje këngësh, por ç’të bëjmë? Dëgjojini edhe njëherë se ndoshta ju pëlqejnë!
S’e kam kuptuar kurrë dhe nuk do ta kuptoj asnjëherë mesa duket, ku është e shkruar që të gjithë këngët e festivalit, çdo vit, duhet të jenë si të Kozma Dushit? Apo si të Lindita Theodorit? Nëse ju ka marrë malli për këto këngë, shkoni dhe ridëgjojini. Ose thojini Kozmait të bëjë ‘remake’!
Nëse muzikantët e “vjetër” janë pakënaqur se artistët e rinj në moshë dhe krijimtari “pushtuan” eventin muzikor të vitit dhe i rikthyen shkëlqimin e mëparshëm, nuk është aspak faji i Vera Grabockës, as i Alketa Vejsiut, as i RTSH-së, as i publikut, por i tyre. Është faji i tyre sepse tik-tiku u ka mbetur akoma në vitin 1968.
Prania e Darko Dimitrov, si një nga emrat më të përmendur këto ditë, në festival është një “highlight” i festivalit. Prania e kompozitorëve të huaj në Festivalin e Këngës nuk duhet të shihet si një arsye për të shfryrë racizmin e importuar nga koha e komunizmit në muzikë, por si një vlerësim për këtë event muzikor. Sepse ne nuk jemi SanRemo! Jemi Festivali i Këngës… jo “i Këngës së kompozuar nga shqiptarët”. Prandaj dhe gëzohemi kur shqiptarët përfaqësojnë Italinë, Greqinë, Qipron etj. Sepse muzika nuk ka kombësi. Nëse për dikë kjo është e papranueshme, për mua është e pakonceptueshme të vetquhesh artist dhe të jesh racist! Tregohem i paedukatë nëse them që Darko Dimitrov ka prurje shumë herë më cilësore dhe më të mira, se dhjetëra kompozitorë shqiptarë që kanë marrë pjesë në Festivalin e Këngës këto 20 vitet e fundit? Jo!
Ta prekim pak edhe këtë punën e teksteve?
Kam lexuar shkrime mjaft që kritikojnë tekstet e këngëve të këtij Festivali. Më falni, po tekstet e kujt? Tekstin e Kastro Zizos? Tekstin e Olta Bokës? Tekstin e Kamela Islamajt? Tekstin e Albërie Hadërgjonajt? Tekstin e Kanitës? Tekstin e Valon Shehut? Apo tekstin e Tirit?
Sapo ju përmenda treçerekun e teksteve të këtij festivali që për mua meritojnë vlerësimin maksimal! … sepse mbi të gjitha nuk janë tekste patetike, tekste pa koherencë dhe tekste të pakëndueshme!
E di, e di… e keni me tekstin e Elvanës.
Tani te Elvana… që të heq një gjë që ka ditë që më shtrëngon në fyt sa herë hap mediat dhe rrjetet sociale. Jo çdo gjë që nuk arrini të kuptoni, që nuk arrini të perceptoni apo nuk dini ta konceptoni është TALLAVA!!
“Me tana” është këngën e rrymës etno-pop/etno-dance, që gërsheton elementët e muzikës pop/dance me instrumentë etno, apo elementë muzikorë etno me instrumentë të muzikës pop/dance. Nuk ka asnjëfarë ngjashmërie me turbofolkun, lëre më me tallavanë. Dhe duhet të dini që muzika ‘pop/dance’ nuk ka hapësira për poezi të mirëfilltë, me hiperbola, anafora apo metafora sepse është një muzikë që supozohet të konsumohet nën lëvizjet e trupit. Unë do të preferoja të kërceja dhe ta kaloja ditën me një këngë si “Me tana” sesa me një këngë me tekst absurd dhe patetik për kohët që jetojmë.
Më vjen t’i shaj me tana, sidomos këta që këtej kritikojnë, nga ana tjetër këndojnë “bananen” e Dashnor Dikos. Ju lutem.
Për mua nuk ka aspak rëndësi cila ishte fituese e Festivalit të 58-të të Këngës, sepse i gjithë ky edicion është fitues ndër të gjithë edicionet e tij në kohët moderne.
Të 20 këngët janë hite, jo vetëm komerçiale, por edhe hite në kuptimin e vërtetë të fjalës. Janë këngë që do t’i mbijetojnë kohës! Do të gëzojmë me to, do të qajmë me to, do të reflektojmë me to, do të flemë me to, do të pushojmë me to.
Unë mendoj se kjo ka më së shumti rëndësi! Fituesi shumë më pak se kaq. Humbi Elvana? SO WHAT! Të gjithë do të humbim një herë në jetë. Askush nuk ka fituar gjithmonë. Nëse thuhet se fitorja më e madhe është publiku, pse gjithë kjo gjueti shtrigash për Rita Petron apo Mikaela Mingën apo Arilenën në rrjetet sociale? Fundja, kush e vendos nëse një këngë është më e mirë se tjetra apo ku do të anojë peshorja, përpos faktit që janë dy gjëra tërësisht të ndryshme? Profesionistët! Të tjerat janë opinione. Dhe me opinione unë jam Beyonce!!
E gjithë kjo energjia e duelit Elvana vs Arilena duhet të përdoret për diçka tjetër. Duhet të përdoret për të thënë se ja, për këtë frymë ka nevojë Festivali i RTSH-së. Për frymë të re, frymë moderne dhe pa komplekset arkaike se e vjetra është gjithnjë më e mirë. Grammy Awards, që kanë nderuar Nina Simones, Elvis Presley, Whitney Houston, vitin që vjen do të nderojnë artistë si Billie Eillish, Lil Nas, Lizzo, Ariana Grande etj. Sepse muzika nuk ka kohë. Muzika e mirë nuk ka kohë. Artistët nuk njohin moshë. Të thuash që muzika që bëja unë është më e mirë se kjo sot vetëm sepse nuk e kupton… më fal, por je shumë i vjetër për këtë faqe! Lum kush e ka kuptuar se po thinjemi me të njëjtat diskutime çdo vit!
Duket se drejtuesit e RTSH-së e kanë kuptuar këtë tashmë dhe kjo është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Festivalit historik të Shqiptarëve!
Le të mos flasim pastaj për të gjithë ata që kur nuk kishin çfarë të thonin për këngët, u kapën prej bishtave të fustanit të Alketa Vejsiut (sikur t’i kishin blerë me taksat e tyre) apo për faktin se Alketa do të këndonte disa herë gjatë 3 netëve.
Pse? Sepse nuk ka fare lezet të mos kritikojmë njëçikë. Po fakti që Alketa është e vetmja prezantuese femër që ka arritur të mbajë e vetme peshën e drejtimit të Festivalit të Këngës nuk ka fare rëndësi. Që arriti të drejtojë si një ‘show girl’ tre netë maratonë të këtij evenimenti e të sillte emra si Mahmood, Giussi Ferreri apo Eleni Foureira pa prekur asnjë qindarkë ‘extra’ nga buxheti i festivalit… kur dikë tjetër e kap aritmia vetëm kur e mendon, nuk ka fare rëndësi!
Faji i vetëm i producenteve të këtij edicioni, Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu është që vendosën një standard aq të lartë për këtë festival saqë ata që do të vijnë vitet e ardhshme do t’u duhet të punojnë fort për ta arritur. Dhe si publik, do të isha shumë i lumtur nëse do ta kalonin!
Meqë kam vëmendjen tuaj, le të mbështesim dhe të japim energji të mira për fituesen e këtij viti, Arilenën, e cila në moshën 21 vjeçare do të përfaqësojë Shqipërinë me një nga baladat më të fuqishme të edicionit. Sa për sharjet, më mirë ja lëmë t’i bëjë Arilena në këngë…