Moti i keq me stuhi shiu që përfshiu këtë të martë Tiranën, përveç problemeve të çastit që shkaktoi në lëvizjen e njerëzve dhe të mjeteve në kryeqytet, ka sjellë një situatë të vështirë edhe në impiantin e filtrimit të ujit në Bovillë.
Si pasojë e shirave dhe prurjeve të shumta, uji në ujëmbledhësin e Bovillës është turbulluar, çka ka detyruar Bashkinë e Tiranës të marrë masa për kufizimin e furnizimit me uji të qytetarëve të Tiranës, deri në përmirësimin e situatës dhe vënien në funksion të plotë të këtij impianti.
Situata në Bovillë u ndoq nga afër edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se deri në një normalizim të situatës në këtë impiant do të ketë kufizim të furnizimit me uji të banorëve të Tiranës. “Po e mbyllim ditën e sotme në Bovillë, ku gjithmonë Bovilla shfaq problematikat pasi ka kaluar shiu, duke qenë se ujëmbledhësi furnizohet me përrenj nga e gjithë Malësia e Tiranës.
Situata aktualisht është se në ujëmbledhësin e Bovillës vjen ky lloj uji, i cili ka një turbullirë katër herë mbi normën maksimale të turbullimit të ujit. Do të thotë se është katër herë mbi ç’lejon ky impiant dhe çdo rregull i BE-së. E di se për qytetarët, të cilët do të preken nga furnizimi i kufizuar me ujë, sigurisht që një pjesë e mërzisë do të jetë me Bashkinë, pse nuk e lejon ujin, por asnjë njeri normal, asnjë kryetar bashkie, asnjë njeri që duhet të marrë vendime për qytetarët e vet, nuk do të merrte vendim që të lejonte këtë ujë të kalonte”, tha Veliaj.
Ai sqaroi se për shkak të nivelit të lartë të ujit të turbullt, filtrimi i tij është bërë shumë më i vështirë, çka sjell edhe një sasi të kufizuar uji të gatshëm për t’u shpërndarë banorëve. “Filtrat tanë arrijnë që me sasi të kufizuar të filtrojnë ujin e ta bëjnë të pijshëm, megjithatë duke qenë se turbullira është përtej normales, do të thotë se për 4 herë më shumë ndotje, reduktojmë sasinë e filtrimit.
Kjo do të thotë se në qytetin e Tiranës, në ditët në vijim do të ndihet një kufizim i ujit të pijshëm. Kjo bëhet vetëm për të garantuar jetën e qytetarëve dhe për të mos çuar këtë ujë në çezmat e tyre. Besoj se është më mirë që një lajm të keq ta themi në mënyrë të drejtpëdrejtë, siç është, se sa të bëjmë akrobacira që do të jenë të pafalshme, ndaj duke nisur nga nata e sotme do të ketë kufizim të ujit të pijshëm”, shtoi Veliaj.
Por ai theksoi se për të gjitha institucionet që japin shërbime të pandërprera, Bashkia do t’u sigurojë ujin me anë të autoboteve. “Ne kemi marrë masat që të gjithë institucionet që kanë emergjenca si spitalet, kopshte e çerdhet, të gjitha institucionet ku duhet të ketë ujë të pastër, kemi porositur përveç cisternave tona dhe përveç boteve të Ujësjellësit të Tiranës, kemi kontraktuar disa prej kompanive private të cilat bëjnë furnizim, për t’u siguruar që nuk kemi mungesa të tilla”, tha kryetari i Bashkisë. Nisur nga kjo situatë e pazakontë në ujësjellësin e Bovillës, ai ka kërkuar nga qytetarët që të bëjnë kujdes dhe të mos e shpërndorojnë ujin e pijshëm.
“Ju lutem përdoreni ujin me kursim, duke qenë se është i kufizuar! Nëse duhet që të furnizoheni me ujë gjatë mbrëmjes së sotme, ku do të ketë një furnizim nga ajo që tashmë është në depo nga paraditja, të sigurohen që mbushin enët e tyre dhe përgatiten për dy-tre ditë të vështira. Shpresoj që kjo krizë të përfundojë. Ne masim çdo 30 minuta çështjen e ndotjes së ujit dhe në momentin e parë që bien turbullirat, do të vazhdojmë me furnizimin me ujë të plotë”, bëri të ditur Veliaj. Ai siguroi se të gjitha skuadrat e UKT-së dhe të Bashkisë së Tiranës janë në terren për të siguruar normalizimin e situatës, edhe në ato pjesë ku si pasojë e prurjeve është dëmtuar rrjeti.
“Sot, gjatë reshjeve dhe shumë inerteve që kanë rënë nga malet, edhe tubacioni alternativ i Shën Mërisë ka pasur dëmtime. Skuadrat tona janë aty për të bërë gjithë saldimet e meremetimet e nevojshme. Do të punojnë sot gjatë gjithë natës, deri në të gdhirë, nëse na lejon moti, që edhe këtë ta korrektojmë dhe të kemi të paktën një burim alternativ”, u shpreh Veliaj. Ai u kërkoj ndjesë qytetarëve për këtë situatë, por theksoi se ky ishte vendimi më i mirë për jetën e tyre.
“Jam sigurt se çdo njeri normal, çdo qytetar i Tiranës, po të ishte në vendin tim, do jepte porosi që ky ujë të mos shkonte në tubacione, por të kemi kufizime të nevojshme deri sa të stabilizohet kjo situatë, ndaj edhe kërkoj mirëkuptimin e të gjithëve duke i garantuar se po bëjmë maksimumin, si atje poshtë në Tiranë, ku duhet të zhbllokojmë pa fund kanale, lumenj e përrenj, aty ku po punojnë zjarrfikëset tona për të pompuar ujin, në shtëpi që mund të jenë përmbytur, aty ku po punojnë stafet tona të emergjencës për të evakuuar me Policinë Bashkiake”, tha Veliaj./Express