Balerina e “Tv Klan” Alba Hoxha është edhe njëra prej “thëllënzave” të Gentit dhe Saimirit në emisionin “Stop”. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” ajo rrëfen se pas disa audicionesh organizatorët vendosën se do të ishte ajo së bashku me balerinën tjetër, Encën pjesë e stafit. Megjithatë ajo tregon se nuk quhet velinë, pasi në skenë nuk është si modele, por për të treguar anën e saj profesionale. Nga ana tjetër flet edhe për marrëdhëniet me Gentin dhe Saimirin, duke u shprehur se batutat janë pjesë e formatit, dhe se jashtë kamerave janë miq të mirë. “Ne nuk jemi velina. Ne vijmë nga bota e baletit klasik dhe kemi mbaruar një shkollë për këtë. Djemtë në skenë na quajnë “Thëllënza”, por nëse e shikon emisionin, kupton që ne nuk jemi modele që tundim vithet, por tregojmë aftësitë tona profesionale, pasi për këtë jemi aty, të bëjmë koreografi të mirëfillta”, ka thënë ajo.