Në 9 prill, bashkëshortja e Ilir Metës, Monika Kryemadhi kishte ditëlindjen. Atë ditë, LSI kishte një aktivitet masiv, megjithatë anëtarët e partisë kishin menduar edhe një surprizë për Monikën. Në pallatin e sportit Asllan Rusi, ku LSI po zhvillonte aktivitetin e saj, erdhën pesënjakët, tashmë të rritur që Ilir Meta, kur ishte Kryeministër, i kishte ndihmuar duke i dhënë familjes shtëpi. Meta ka qenë Kryeministër i vendit në vitet 1999-2002. Gjatë asaj kohe, u lindën pesënjakët nga Peqini dhe Meta i dha familjes së tyre, një shtëpi, nga fondi i strehimit. Në një ekran të madh gjatë aktivitetit u shfaqën xhirimet kur Meta e kishte vizituar familjen gjatë ditëlindjes së pesënjakëve. Tani, 16 vjeç, pesënjakët, anëtarë të LRI-së, kishin ardhur për t’i uruar ditëlindjen, ish-drejtueses së këtij forumi dhe një prej drejtueseve më të rëndësishme të LSI, Monika Kryemadhi. Pas një fjalimi të shkurtër të një prej vajzave të familjes së madhe, Monika u ngjit në skenë për të marrë emocionet e këtij urimi special.