RRËFIMI I BOMBËS SEKSI: SI MË ZGJODHI IMAZH TË KUFJEVE DR.DRE
[metaslider id=1133]
Nga Eraldo Rexho/ Fotot: Endrit Mërtiri/ Hair & Make Up: Suela Çangu/ Ambientet: “Sheraton Tirana”
Kjo është hera e parë që takohem me Vildane Zenelin… Sigurisht, nuk është e para herë që flas me të, por deri pak javë më parë, çdo atribut për komunikimin e ndërtuar mes nesh i mbetej teknologjisë. Madje tani, teksa shkruaja këto radhë për kopertinën e re të “WHO Online”, u bëra kurioz dhe hyra të shihja gjithë historikun e komunikimit tim me Vildanen… E besoni dot?! E kemi lënë plot 5 herë të takohemi dhe çdonjëri prej këtyre takimeve ka dështuar me sukses për shkak të angazhimeve të modeles, që nuk është mësuar të rrijë në një vend. “E tillë është jeta ime, një udhëtim… Kështu ka nisur dhe kështu vazhdon. Jam gjithë kohës me valixhe në dorë dhe më pëlqen kjo gjë. Më pëlqen të njoh vende, njerëz e kultura të reja” – thotë modelja.
Jemi në “Sheraton”, ulur në dhomën, më saktë shtratin e femrës më të lakmuar nga e gjithë gjinia mashkullore, dhe biseda nis natyrshëm mbi verën e këtij viti, që ndryshe nga të gjitha paraardhëset e ka sjellë për një kohë më të gjatë në Shqipëri e Kosovë. Kemi ndaluar gjatë bisedës në disa stacione, nga fëmijëria e vështirë pas ikjes nga Kosova, te jeta e admirueshme që jeton sot në SHBA. Nga miqtë e ngushtë në Prishtinë, te miqësitë me emra shumë të rëndësishëm në biznesin e muzikës, si Dr.Dre, Will.I.Am e 50 Cent… Vildane Zeneli, seks-bomba shqiptare, vjen në “WHO” me një rrëfim për jetën e saj, që fati dhe ambicia për të ecur përpara ia kanë bërë shumë të bukur…
Vildane, si ka qenë kjo verë për ty?
Kjo verë ka qenë e pabesueshme. Kam pasur shumë kohë për të shpenzuar, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, gjë që nuk ndodh zakonisht për shkak të angazhimeve të mia të shumta. Por kësaj radhe u mundova ta realizoja dhe po e shijoj çdo moment të kësaj vere. Kam udhëtuar nëpër Europë gjatë gjithë kësaj vere. Ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme, e cila nuk dua që të mbarojë.
Je kthyer në Kosovë e Shqipëri për projekte të reja. Veç atyre që kemi parë, do të na zbulosh diçka më shumë?
Po, ky është udhëtimi im i dytë në Kosovë dhe Shqipëri. Kam disa projekte interesante të cilat po i realizoj këtu, por nuk mund ta zbuloj ende surprizën. Kam planifikuar gjithashtu të argëtohem ca kohë me familjen dhe shoqërinë, gjë që nuk e bëra në udhëtimin tim të fundit.
Ke shumë miq këtu?
Kam shokë dhe shoqe, me të cilët jam rritur në Prishtinë. Miq që nga koha e fëmijërisë, të cilët falë Zotit vazhdoj t’i kem edhe sot. Kam shoqëri të ngushtë, por edhe shumë shokë e shoqe që i kam zënë këto vitet e fundit.
Ndërkohë si shkojnë projektet e tua në SHBA?
Jam gjithnjë e zënë duke punuar dhe duke udhëtuar, për shkak të projekteve të reja. Gjithashtu punoj edhe me klientët e vjetër, si: Betas, Chrysler, Fiat, Beach Bunny, dhe shumë të rinj gjithashtu.
Kur do të prezantohen për publikun këngët e tua në bashkëpunim me Will.I.Am?
Mund ta lançoj këngën në çdo kohë, por kam edhe disa këngë të tjera për të regjistruar përpara se të vendos të nxjerr diçka. Unë dua të kem këngë të mira, që njerëzit t’i dëgjojnë e të kënaqen. Sinqerisht do të vijë shumë shpejt.
Përpos Will, me cilët producentë ke bashkëpunuar?
Kam punuar për një këngë me Big Sean, Soulja Boy, Redfoo dhe tani po planifikojmë diçka me 50 Cent.
Meqë e përmende, kemi parë që 50 Cent është një fans i çmendur i vitheve të tua… Është thjesht mik apo diçka më shumë?
50 Cent është një artist dhe organizator koncertesh i shkëlqyer. Ishte kënaqësi të punoja me të dhe të fotografohesha për fushatën e tij të “Effen Vodka”. E njoh atë prej vitesh për shkak të Beats dhe të Dr.Dre, por ne u bëmë shokë të mirë dhe planifikuam të bënim diçka në muzikë, sepse ai është edhe një fans i muzikës sime. Ai është thjesht një shok dhe një person me të cilin bashkëpunoj për punë, asgjë më tepër.
Si shkon miqësia jote me Dr.Dre ndërkohë? Mund të na e zbulosh edhe si je njohur me të?
Dr.Dre është një nga njerëzit më të mirë që kam njohur dhe jam me fat që jo vetëm kam punuar me të, por dhe që e kam ndër shokët e mi të dashur. E kam takuar Dr.Dre si fillim në St.Barths, ku kam qenë duke bërë një set fotografik për një fushatë të “Diesel Jeans”. Kjo ka ndodhur para më shumë se 6 vitesh. Ata ishin duke kërkuar për një modele që të ishte imazhi i kufjeve “Brand Beats” të Dr.Dre. Kishin parë shumë vajza, por ai nuk kishte mundur të gjente dikë që të mund ta prezantonte markën e kufjeve të tij ashtu siç do donte ai. Kur më takoi mua, ai e njihte fotografin me të cilin po punoja. Sapo më pa, tha: kjo është vajza që po kërkoja! Nuk e kisha idenë se për çfarë po fliste, veçanërisht sepse nuk kisha dëgjuar për markën e tij më parë. Ai donte që unë të bëja një seksion fotografik me kufjet. Ua tregoi fotografitë 30 personave të stafit “The Beats” dhe i pyeti nëse mund ta gjenin origjinën se nga vija unë. Asnjëri nuk gjeti të saktën. Ata aluduan se isha marokene, braziliane, spanjolle, italiane, indiane, arabe e të tjera. Secili nga ata mendoi se isha nga një vend i ndryshëm. Dhe kjo ishte arsyeja pse Dr.Dre më përzgjodhi si të duhurën për “The Beats”, sepse pamja ime i përshtatej çdo race dhe kulturë. Është një histori vërtet interesante, por që Dr.Dre e shpjegon më mirë.
Ke hequr dorë përkohësisht nga karriera si modele?
Jo, absolutisht jo, punoj tani më shumë se kurrë. Mora thjesht një kohë pushimi për verën, por nuk kam plan që ta lë modelingun. Thjesht nuk do të punoj aq shumë sa më parë në modeling, sepse do përqendrohem te muzika.
Si është një ditë e jotja normale? Çfarë bën, me çfarë merresh?
Nëse nuk jam duke punuar, preferoj ose të kaloj kohë me familjen, ose të shkoj të notoj në pishinën e shtëpisë sime, e cila është vërtet e bukur dhe relaksuese dhe nga ku mund të shikoj të gjithë New York-un ndërkohë që notoj… Më pëlqen të eci, bëj palestër, por jo shumë, dal për të ngrënë dreka dhe darka. Asgjë të çmendur, me pak fjalë.
A ke bërë shumë para me punën si modele?
Nuk do të flas se sa para kam bërë dhe bëj si modele, sepse nuk tingëllon bukur, por mund të them se nuk kam pasur ndonjë punë tjetër në gjithë jetën time dhe modelingu më siguron një jetë më se të mirë. Kam çdo gjë që dua dhe për të cilën kam nevojë. Jam plotësisht rehat dhe ndihem pafundësisht e bekuar.
Jeta private, si shkon? Ke dikë në krah?
Jeta ime private është ekzaktësisht aq private, sa për të mos u ndarë me mediat.
Mendon se një femër duhet të ketë në krah një mashkull të fortë e të pasur që të ndihet e plotësuar?
Jo, absolutisht jo! Nëse çdo gjë e ke bërë vetë dhe suksesin e ke arritur po vetë, atëherë kjo është gjithçka që të duhet për t’u ndjerë e plotësuar. Njerëzit mund të vijnë dhe të shkojnë, po ajo që bën ti për veten është ajo çka ka rëndësi në jetë.
Ç’mendon ti për meshkujt shqiptarë? Ku dallojnë dhe ku përputhen me ata amerikanë?
Meshkujt shqiptarë janë të mrekullueshëm, siç janë edhe amerikanët. Kjo është e gjitha çka mund të them. Por ka të mirë dhe të këqij kudo.
FËMIJËRIA
Unë kam lindur në Kosovë, më saktë në qytetin e Prishtinës. Fëmijëria ime ka qenë e mahnitshme, argëtuese, plot energji e jetë, derisa lufta goditi Kosovën. Atëherë na u desh të largoheshim nga vendi për të shkuar në Maqedoni. Më pas u zhvendosëm në New York. Isha fare e re kur erdha në New York, dhe u kapa pas fëmijërisë sime në Amerikë me shumë vështirësi. Kjo, sepse isha në një vend të huaj, me njerëz të rinj, e m’u desh ta filloja jetën nga e para. Në atë kohë nëna ime u diagnostikua me kancerin e gjirit. Në shkollë fëmijët e tjerë më tallnin ngaqë isha e huaj. Fillimet e mia në atë vend kanë qenë vërtet të vështira. Doja shumë të kthehesha në Prishtinë te miqtë e mi e të vazhdoja të kaloja fëmijërinë e lumtur me ta, duke shkuar në karate, në shkollë… Por kjo nuk ndodhi asnjëherë, për shkak të luftës. Në një farë mënyre ndjej se fëmijëria ime u pre në mes. E humba mundësinë të isha një fëmijë pa komplekse e shqetësime, të kënaqesha me miqtë dhe të shijoja ato vite. Por kjo nuk ndodhi as për mua, e as për shumë të tjerë që patën fatin e keq të jetonin në periudhën e luftës në Kosovë.
SI U BË PJESË E BOTËS SË MODELINGUT
Kur ne u vendosëm në New York, nuk dinim të flisnim fare anglisht e nuk dinim se si ta fillonim jetën. Përfunduam duke jetuar në një komunitet ku kishte shqiptarë të tjerë që jetonin në të njëjtën zonë. Kjo na ndihmonte të ndiheshim sadopak “si në shtëpi”. Kishim fqinjë një familje nga Shqipëria, të cilët jetonin në të njëjtën ndërtesë me ne. Ata kishin dy djem të vegjël. E ëma e tyre i çonte në plazh fundjavave dhe gjithmonë na ftonte mua dhe motrën time që të shkonim me ta, që të argëtoheshim disi e të largonim mendjen nga traumat që kishim kaluar. Një nga këto ditë, në plazh, në “Manhattan Beach”, një agjent nga “Wilhelmina Agency Modeling” m’u afrua dhe më pyeti nëse unë do të doja të bëhesha modele, sepse sipas tij, unë dukesha si e tillë. Në fillim nuk isha e sigurt, por e mora kartëvizitën e tij. Një ditë, me vëllain tim të madh shkova në këtë agjenci dhe aty filloi gjithçka.
Discussion about this post