Në një kohë kur çdo postim lexohet si deklaratë dhe çdo paraqitje si mesazh i koduar, Hailey Bieber zgjodhi ta bëjë gjithçka personale dhe publike. Në Shën Valentin, themeluesja e Rhode ndau me ndjekësit një kartolinë të thjeshtë, por të ngarkuar me simbolikë, ku lexohej, “You are my forever Valentine”, shoqëruar me një shenjë buzëkuqi të kuq. Një gjest intim për bashkëshortin e saj, Justin Bieber.
Ky moment romantik vjen në një periudhë kur çifti ka qenë nën lupën e mediave. Nga paraqitja e saj sensuale me një fustan transparent Saint Laurent në premierën e “Wuthering Heights” në Sydney, tek diskutimet online për një video në TikTok që pretendonte se martesa e tyre ishte “abuzuese”, Hailey ka zgjedhur të reagojë drejtpërdrejt:
“E di si jeni në internet dhe mërziteni shumë, por nuk kam ripostuar asnjë video që flet për marrëdhënien time,” shkroi ajo në Instagram Stories, duke shtuar se vendosi të “mbyllë zërat”.
Ndërkohë, daljet e përbashkëta në Super Bowl dhe në Grammy 2026, ku Justin debutoi me një tatuazh në shpinë që dukej si portret i saj, u lexuan si një front i bashkuar. Pavarësisht zërave për “vështirësi në martesë”, Hailey dhe Justin vijojnë të shfaqen si një dyshe që sfidon ciklet e lajmeve me gjeste publike mbështetjeje.








