Dea Vieri, ish-banore e “Big Brother VIP Albania 3”, ishte e ftuar në emisionin e mëngjesit “Wake Up”, ku hapi një diskutim interesant mbi mënyrën se si personazhet publikë e menaxhojnë jetën private në epokën e rrjeteve sociale.
Në bisedë me Blendi Salajn dhe Heidi Baçin, Dea foli për kufirin e hollë mes famës dhe intimitetit, duke theksuar se jo çdo aspekt i jetës personale duhet të shndërrohet në përmbajtje publike. Sipas saj, shumë figura të njohura, veçanërisht vajzat e showbizit, zgjedhin me vetëdije të mos ekspozojnë marrëdhëniet e tyre sentimentale.
Me humor dhe ironi, Dea dha edhe një shpjegim që ngjalli reagime në studio:
“Shumica e vajzave shqiptare nuk i publikojnë në rrjetet sociale të dashurit e vet, sepse, Zot më fal, por i dashuri i vet kërkohet nga Interpoli. Tani, atë tjetrin e kërkon Interpoli dhe ajo ta postojë në Instagram… sikur nuk bën sens”.
Përtej batutës, ajo u ndal edhe te presioni që shpesh u ushtrohet personazheve publikë për të ndarë çdo detaj nga jeta e tyre, duke theksuar se privatësia nuk duhet të sakrifikohet në emër të famës. Sipas Deas, ruajtja e kufijve personalë është thelbësore për të mbrojtur marrëdhëniet dhe autonominë individuale, pavarësisht ekspozimit mediatik.








