Adelina Ismaili dëshmoi edhe një herë se emri i saj është i skalitur në historinë e muzikës shqiptare. Pas një pauze të gjatë, ajo u rikthye në skenë me një performancë madhështore në Festivalin “Alba” në Zvicër, duke emocionuar jo vetëm publikun e dikurshëm, por edhe një brez të ri që e shihte për herë të parë live.
Ishte hera e parë që këngëtarja performonte në një skenë kaq të madhe pas 10 vitesh, përballë një audience kryesisht të përbërë nga të rinj të rritur jashtë Shqipërisë, në Zvicër dhe Gjermani. Shumë prej tyre mund të mos kishin qenë as të lindur kur Adelina ishte në kulmin e karrierës. Megjithatë, kjo nuk i pengoi të këndonin me pasion çdo hit të saj që nga vitet ’90.
Kjo bujë tërhoqi vëmendjen edhe të njërit prej mediave më të mëdha zvicerane, Tages-Anzeiger.
Në një intervistë ekskluzive për median prestigjioze zvicerane, Adelina foli për rrugëtimin e saj muzikor, rolin që ka luajtur në diasporë, përkushtimin për të drejtat e grave dhe për ndikimin që ka pasur lufta në Kosovë në jetën dhe artin e saj.
“Tages-Anzeiger” e cilësoi Adelinën si një nga artistet më me ndikim të muzikës pop në Kosovë.
“Këngëtarja Adelina Ismaili ka qenë një ndikim përcaktues në skenën muzikore shqiptare për gati 30 vjet; muzika e saj është feministe dhe provokuese. Karriera e saj filloi pak para Luftës së Kosovës: në vitin 1996, ajo publikoi albumin e parë nga pesë dhe, në vitin 1997, u kurorëzua Miss Kosova. Sot, Ismaili konsiderohet si një nga artistet më me ndikim të muzikës pop në Kosovë. Në muzikën e saj, ajo mbështet vetëvendosjen e grave dhe të drejtat e shqiptarëve të Kosovës,” thuhet në hyrje të artikullit.
Adelina u ngjit në skenë me stilin e saj ikonik, e veshur me të zeza, me pantallona lëkure dhe një korse, për të sjellë një performancë që dëshmoi se, edhe pas kaq shumë vitesh, ajo mbetet e pandryshuar në zemrat e shqiptarëve. Një mesazh i fuqishëm për nostalgjinë, forcën dhe ndikimin e saj të vazhdueshëm.








