Dashuritë e mëdha lënë gjithmonë shenja të mëdha pas. E kur dashuritë vënë rrënjë në zemra artistësh, shenjat që lënë, herë janë kryevepra e herë të tjera janë letra të ndjera, në të cilat, çdo frazë, çdo fjali ka emocion, lot dhe mall. Më tej po sjellim pesë letra shkrimtarësh të njohur, dërguar të dashurve apo të dashurave të zemrës, për t’u rrëfyer ndjenjat.
Oscar Wilde, letër zotit Alfred “Bosie” Douglas
(Ose muzës së tij)
Djaloshi im,
Soneti juaj është kaq i dashur, dhe është mrekulli që ato buzë të tuat të kuqe duhet të bëhen, jo aq për çmendurinë e muzikës e të këngës sesa për çmendurinë e puthjeve. Shpirti juaj i hollë e i praruar ecën në mes të pasionit dhe poezisë. Unë e di, Hyacinthus, të cilin Apollo e deshi çmendurisht, ishit ju në epokën greke.
Pse jeni vetëm në Londër dhe kur do të shkoni në Salisbury? Shkoni atje që të ftohni duart në muzgun gri të sendeve gotike, dhe ejani këtu sa herë të doni.
Ky është një vend i bukur dhe i mungoni vetëm ju; por shkoni në Salisbury më parë.
Gjithmonë, me dashuri të pavdekshme, i juaji,
Oscar
Eleanor Roosevelt për Lorena Hickok
(Sipas spekulimeve të shumta, e dashura e Eleanor)
Hick, e dashur,
Ah, sa mirë ishte të dëgjoja zërin tënd! Ishte shumë e papërshtatshme të përpiqesha e të të tregoja se çfarë nënkuptonte kjo. Më qesharakja ishte, se unë nuk mundesha të të thosha “Je t’aime” dhe “Je t’adore”, ashtu siç prej kohësh doja të bëja, por gjithmonë kujto që unë po të them, se shkoj të fle duke të menduar ty.
Emma Darwin për Charles Darwin
Unë nuk mundem t’ju tregoj juve, gjithë dhimbjen që kam ndjerë për të gjitha vuajtjet tuaja gjatë javëve të fundit, që ju keni pasur kaq shumë kokëçarje.
Nuk mundem t’jua tregoj as mirënjohjen që kam ndjerë për shikimet e ndjeshme dhe të qeshura që më keni dhënë, kur unë e dija që ju keni qenë në situata të pakëndshme.
Zemra ime ka qenë shpesh shumë e plotë për të folur ose për të marrë ndonjë sinjal. Unë jam e sigurt se ju e dini që unë ju dua aq shumë sa për të më besuar se i kam në mendje vuajtjet tuaja si të ishin të miat. Në mendjen time gjej lehtësim, vetëm kur mendoj se çdo gjë ka ardhur nga Zoti, dhe përpiqem të besoj se të gjitha sëmundjet dhe vuajtjet, do të na ndihmojnë për të lartësuar mendjet tona dhe të shikojmë përpara, me shpresën e një gjendjeje të ndryshme.
Kur unë shoh durimin tuaj, dhembshurinë e thellë për të tjerët, vetëkontrollin dhe, mbi të gjitha, mirënjohje edhe për gjënë më të vogël të bërë për t’ju ndihmuar, unë nuk mund ta ndal dëshirën e madhe që këto ndjenja të çmuara duhet t’i ofrohen qiellit për hir të lumturisë suaj të përditshme. Por, e gjej shumë të vështirë në rastin tim.
I ndjej thellë në zemër, cilësitë tuaja të admirueshme, ndjenjat dhe, gjithë ç’shpresoj është që ju t’i ngrini ato lart. Unë do ta ruaj këtë pranë vetes, derisa të ndihem e gëzuar sërish për ju.
Por, këto më kanë shkuar në mendje shpesh këto kohë dhe mendova t’jua shkruaj pjesërisht, për të lehtësuar mendjen time.
Poetja angleze Vita Sackville-West për Virginia Woolf
… Unë i jam nënshtruar diçkaje që dëshiron, Virginia.
Kam kompozuar një letër të bukur për ju, në orët e pagjuma e me makth të natës, dhe gjithçka kaloi: Më mungoni, në një mënyrë krejt të thjeshtë, dëshpëruese e njerëzore. Ju, në të gjitha letrat tuaja, kurrë nuk do të shkruanit kaq thjesht një frazë si ajo; ndofta, ju, as që do ta ndjenit atë. Dhe sërish, unë besoj se do të jeni e ndjeshme.
Por ju, do ta vishnit në një mënyrë aq të hollë një frazë, sa ajo do të humbte pak prej realitetit të saj.
Ndërsa me mua, ajo është mjaft e zymtë: më mungoni më shumë sesa mund ta kem imagjinuar; dhe isha përgatitur të më mungonit pa masë.
Pra, kjo letër është me të vërtetë vetëm një klithmë dhimbjeje. Është e pabesueshme se sa e domosdoshme jeni bërë për mua. Mendoj që ju jeni mësuar me njerëz që jua thonë këto gjëra. Mallkuar qofshi, krijesë e prishur! Unë nuk do t’ju bëj të më doni më shumë duke ju dhënë veten kështu. Por, oh e dashura ime, unë nuk mund të jem e zgjuar dhe e rezervuar me ju: Ju dua shumë për këtë. Shumë e vërtetë. Ju nuk e keni idenë se sa e rezervuar mund të jem me njerëz që nuk i dua. E kam kthyer këtë mënyrë sjelljeje, në një art. Por ju, i keni thyer mbrojtjet e mia. Dhe unë, nuk mund ta duroj këtë.
Propozimi i Charles Eames për Ray Eames
E dashur zonjusha Kaiser,
Unë jam 34 vjeç (pothuajse) dhe beqar (sërish) dhe i thyer. Ju dua shumë dhe do të dëshiroja të martohesha me ju shumë, shumë shpejt.* Unë mundem t’ju premtoj se do na mbështesin shumë. Por nëse më jepet mundësia, atëherë do të përpiqem si dreqi.
*Shpejt do të thotë shumë shpejt.
Cila është masa e këtij gishti??
Me dashuri
Charlie
Honoré de Balzac për konteshën Evelina Haska (qershor, 1835)
Engjëlli im i dashur,
Unë jam gati i çmendur për ju, për aq sa dikush mund të jetë i çmendur: Unë nuk mund të sjell së bashku dy ide, pa u futur ju në mes.
Tashmë, nuk mundem të mendoj më për asgjë veç jush. Me gjithë veten time, imagjinata ime më mbart mua tek ju. Unë ju shtrëngoj, ju puth e ju përkëdhel me një mijë përkujdesje. Sa për zemrën time, aty do të jeni gjithmonë. Kam një ndjesi të këndshme tuajën atje. Por, o Perëndia ime, çfarë bëhet me mua, nëse ju më keni privuar nga arsyeja ime? Kjo ide, më tmerron këtë mëngjes. Çdo moment, ngrihem dhe i them vetes: “Unë do të iki atje!”.
Pastaj ulem përsëri, i shtyrë nga ndjenjat e detyrimeve të mia. Ka një konflikt të tmerrshëm. Kjo nuk është jetë. Unë kurrë më parë nuk kam qenë kështu. Ju keni përlarë gjithçka. Ndihem i pamend dhe i lumtur, sapo e lë veten të mendojë për ju.
Vërdallosem në një ëndërr të këndshme, në të cilën në një çast të vetëm jetoj sa për një mijë vjet. Çfarë situate e tmerrshme! I mbuluar me dashuri, duke e ndjerë dashurinë në çdo pore, duke jetuar vetëm për dashurinë, dhe duke parë veten të konsumuar nga brengat e i kapur nga një mijë rrjeta merimangash.
Oh, e dashura ime Eva, ju nuk e dini. Kapa letrën tuaj. Ajo është atje para meje, dhe bisedova me ju si të ishit këtu. Unë ju shoh, siç kam bërë dje, të bukur, befasisht të bukur. Dje, gjatë gjithë mbrëmjes, i thashë vetes: “Ajo është e imja!”. Ah! Engjëjt nuk janë aq të lumtur në parajsë, sa ç’isha unë dje!/revistawho.com