Dontë të vriste presidentin francez Emmanuel Macron në datën 14 korrik, gjatë paradës për festën kombëtare. Ai hiqej si nacionalist dhe bënte deklarata kundër të zinjve, arabëve, hebrenjve dhe homoseksualëve. Bëhet fjalë për një të ri 23 vjeç nga “Val d’Oise” në periferi të Parisit. Ai është ndaluar të shtunën me akuzën e sulmit terrorist individual. Autoritetet vendosën alarmin pas një sinjalizimi në internet. Përgjatë një bisede në një faqe videolojërash, ai ka shkruar se po kërkonte një kallashnikov për të bërë një atentat. Kur policia mbërriti në shtëpinë e të riut të mërkurën e kaluar, gjeti tri thika ndërsa në kompjuterin e tij u zbuluan kërkimet që kishte bërë në internet. 23-vjeçari u konsiderua si i paqëndrueshëm psikologjikisht. Ai ishte dënuar edhe më herët me burg për nxitje të urrejtjes midis rracave dhe propagandë terroriste./ revistawho.com