17-vjeçarja nga Prishtina, Orhidea Latifi, në një rrëfim për veten
Nga Suada Daci / Fotot: Kastriot Zhugolli
Kidën nuk e njihja. Për herë të parë e kam dëgjuar këngën e saj “Rikthejm na”, rrugës për në Kosovë, ku isha ftuar në ndarjen e çmimeve të “Videofestit Muzikor”. Radiot kosovare e transmetuan disa herë këtë këngë, që, për hir të së vërtetës më pëlqeu shumë. Pak orë më pas, ‘u njoha’ me vajzën simpatike, e cila parakaloi në tapetin e kuq me një veshje shumë të veçantë (bust dhe fund lëkure me bel të lartë), një stil i veçantë që i rri shumë për shtat 17-vjeçares prishtinalie. Atë natë nuk mori asnjë çmim, edhe pse ishte nominuar në disa kategori, por këngët e saj janë mjaft të pëlqyera dhe të klikuara në “Youtube”. S’i ka ende katër këngë, por koncertet i ka pasur të shumta këtë verë. Në intervistën që kemi zhvilluar me të, do ta njihni më shumë këngëtaren me stil, që po kërkohet, dëgjohet dhe adhurohet çdo ditë e më shumë….
Orhidea apo Kida, si të pëlqen të të thërres?
Më thirr Kida (qesh).
Si fillim dua të të pyes: pse pranove ta ndryshosh emrin? Orhidea është emër shumë i bukur…
Emrin “Kida” ma ka vënë menaxheri im, ai kishte dëgjuar shoqet e mia duke më thirrur kështu. Është e vërtetë, Orhidea është emër i bukur; besoj se më vonë do ta përdor edhe në jetën profesionale.
Je një këngëtare e re në tregun e showbiz-it, por me stil shumë të veçantë; do vazhdosh ta ruash këtë stil?
Po, stilin tim do ta ruaj, do mundohem të jem më e veçantë, edhe pse është pak vështirë, sepse ka kaq shumë artistë. Do mundohem të mbetem unike në stil.
Ke hyrë në showbiz në një moment kur realisht ka goxha emra të mirënjohur në muzikën shqiptare; ke frikë nga konkurrenca?
Jo, nuk kam frikë nga konkurrenca, me punë arrihet çdo gjë. Nëse punon shumë, suksesi do të vijë.
Ka edhe këngëtare të reja që janë shumë premtuese. A i ndjek koleget e tua?
Sigurisht, disa prej tyre i kam shoqe dhe kemi raporte të mira. Iu uroj suksese (qesh)!
Në këngën “O’Najr”, Era Istrefi ka bërë vijën melodike; je mikeshë me të, pasi duhet thënë që edhe ajo është një këngëtare me shumë stil?
Era është një këngëtare shumë e mirë. Vetë fakti që ajo ka bërë vijën melodike të “O’Najr”, tregon që kam raporte shumë të mira me të.
Do të kemi një duet mes jush?
Ndoshta po, pse jo (qesh)?!
Personalisht mendoj që në këngën “O’Najr” ke një ngjashmëri të madhe me Rihannën. Përveçse është këngëtarja jote e preferuar, përpiqesh t’i ngjash edhe në pamjen e jashtme?
Rihannën e dua si çdo fanse tjetër e saj. Nuk mundohem t’i ngjaj, por, siç e thashë më lart, nuk mund t’i ikësh çdo detaji nga këto artistet që janë me famë, se janë shumë, ose të bësh diçka të tillë si Lady Gaga.
Pse të pëlqen të ndryshosh shpesh “look”?
Mundohem të jem sa më moderne e aktuale, por gjithmonë me stilin e Kidës.
Unë di që ti ke studiuar 6 vjet për balet, por tani ke hequr dorë. Çfarë ndodhi? Ishte më e fortë dëshira për të kënduar, apo t’u mërzit baleti?
Ka qenë për shkak të angazhimit të madh që e kam ndërprerë vallëzimin, por do ta vazhdoj përsëri, nuk do të heq dorë prej tij.
Ndonëse këngëtare e re, ke pasur shumë koncerte këtë verë. Si të kanë pritur njerëzit?
Po, kam pasur shumë koncerte dhe, edhe vetë jam befasuar sa mirë më kanë pritur.
Marrëdhëniet me fansat, si i ke? Të shkruajnë, iu përgjigjesh?
Marrëdhëniet me fansat i kam shumë të mira. Mundohem t’iu përgjigjem të gjithëve, por është e pamundur. Megjithatë iu them që i dua shumë dhe janë ata që më japin forcë për të bërë gjëra edhe më të bukura.
Po rrjetet sociale, i përdor?
Përdor rrjetet sociale “Facebook”, “Instagram” e “Twitter”.
Studion në një kolegj amerikan në Prishtinë; është e vërtetë që anglishten e flet më mirë se shqipen?
Jo se anglishten e flas më mirë se shqipen, por për shkak të shkollës, gjuhën angleze e zotëroj mirë.
Një pjesë të mirë të kohës e kalon në studio; si ia bën me mësimet, apo s’të interesojnë shumë notat e mira?
Mësimet janë primare, pastaj studioja (qesh).
Ti i përket shenjës së Shigjetarit; sa “zjarr” je në jetë, se në këngë e koncerte e di që e “kall krejt”?
Jam shumë energjike, nuk përtoj të provoj gjëra të reja dhe lëviz shumë. Në koncerte jap energji maksimale, që ndjenjën e këngës ta transmetoj te publiku.
Do të bashkëpunosh vetëm me “Zzap & Chriss”, apo je e hapur për bashkëpunime edhe me kompozitorë të tjerë?
Njëherë për njëherë vetëm me “Zzap & Chriss”, në të ardhmen të shohim.
Je mendjemadhe?
Jo, aspak!
Sa e ka ndryshuar fama Kidën?
Kida në fakt ka ndryshuar, por për mirë. E kam kuptuar që me punë arrihen shumë gjëra, por jam vetvetja në shpirt, siç kam qenë dhe më parë.
Frekuenton po të njëjtat vende ku shkoje kur nuk ishe e njohur, apo i eviton daljet publike?
I frekuentoj, por jo më me intensitetin e mëparshëm.
Këngët e tua kanë shumë klikime në “Youtube”; janë reale, nuk i ke blerë besoj?
Çdo klikim i imi në “Youtube” është real. Ne kemi bërë shumë promovime në rrjetet sociale, sepse kam një ekip të madh që punon që unë të kem sukses. Nuk është asgjë rastësi, çdo gjë studiohet mirë.
2014
Discussion about this post