Moti i kthjellët dhe relativisht i freskët do të dominojë pjesën më të madhe të territorit shqiptar. Megjithatë, gjatë mesditës do të ketë vranësira kalimtare, më të dukshme në zonat malore.
Pjesa e dytë e ditës do të mbetet me kthjellime në zonat bregdetare dhe të ulëta ndërsa në zonat malore përgjatë kufirit verilindor do të ketë edhe vranësira kalimtare të cilat gjatë natës do të largohen drejt juglindjes.
Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit do të pësojnë sërish një rënie të lehtë, në të dy vlerat ekstremale ditore.
Era do të fryjë mesatare por deri e fortë në mesditë duke arritur shpejtësi deri në 35 km/h nga drejtimi verior- veriperëndimor, për pasojë në brigjet detare do të gjenerohet dallgëzim 2- 3 ballë.
Europa
Ishujt Britanike dhe rajoni i Balltikut mbeten nën dominimin e vranësirave dhe shirave të herë pas hershëm.
Po ashtu Europa Lindore duke përfshirë edhe Pellgun e Detit të Zi, paraqiten me vranësira dhe shira të konsiderueshëm të cilët do të shoqërohen edhe me stuhi të fuqishme të erës.
Ndërkohë që Europa Jugore dhe Perëndimore vijojnë me mot të kthjellët dhe temperatura të larta, Mesdheu Qendror dhe gadishulli i Ballkanit paraqiten me kthjellime por me temperatura relativisht të freskëta./noa.al