Dëshira për të lexuar po zhduket gjithmonë e më shumë dhe këtë e kemi kuptuar të gjithë. Moderatori i njohur Turjan Hysko ka marrë shkas nga një sondazh i bërë mbi librin për të bërë një thirrje drejtuar gjithë shqiptarëve dhe sidomos të rinjve. Rreth 1 milionë shqiptarë mbi 25 vjeç nuk kanë lexuar asnjë libër vitin e kaluar, ka zbuluar sondazhi në fjalë.
“Libri është në ditën e tij më të keqe. Dija është e vetmja rrugë për një shoqëri të emancipuar. Ne si shoqëri po ndërtojmë analfabetë krenarë përditë dhe kjo është një minë me sahat që shumë shpejt do shpërthejë. Mos u skandalizoni kur dëgjoni për luftë me sëpata, kallashë apo antitanke! Mos u skandalizoni kur vriten për një ngritje vetulle! Mos u skandalizoni kur rrihen nga burrat e nuk thonë asnjë llaf. Mos u skandalizoni pse e shohim të ardhmen tek 1, X, 2! Mos u skandalizoni kur s’dinë të shkruajnë as emrin! Mos u skandalizoni kur i mbushim hundët me kokainë që 15 vjeç! Mos u skandalizoni që të gjithë kanë model një me Lamborgini, doktor shkencash në Medellin të Kolumbisë! Mos u skandalizoni që pothuajse nuk do kemi më një rini të që do muzikën e bukur, sportin, zanatin apo familjen! Çorbën po e gatuajmë vet duke promovuar modele të shëmtuara”,-kanë qenë disa nga fjalët që ka shkruar moderatori i njohur.
Në një shoqëri që gjithmonë e më tepër po shkon drejt teknologjisë dhe shembujve negativë, thirrje të tilla duhen bërë më shpesh. Mbase diku, dikush nuk do e bëj veshin shurdh përpara këtij realiteti!/revistawho.com