Nga Eraldo Rexho / Fotot: Erjon Beshiri & Pirro Beati / Hair & Make Up: Suela Çangu / Veshjet: Joni Peçi / Video: Henri Koçi
Një fustan velvet ngjyrë vere prek lehtë shkallët ndërsa hapat zbresin drejt sallonit. Ka hapin e një zonje, të sigurt, të lehtë, ritmik. Ka qëndrimin e një mbretëreshe tek i afrohet aparatit që fikson çdo çast me një klik të vetëm. Flokët e mbledhura dhe shikimi që kontrollon detajet i japin një tjetër hije. E gjithë e bardha e shtëpisë thyhet vetëm prej fustanit të saj dhe një peme Krishtlindjesh me dekor minimalist ku vezullojnë motivet lejla.
Inva Mula mbërrin te froni i kuq ku qenushi ledhatohet deri sa e merr në krahë. E ka arreduar vetë çdo gjë duke pasur në mendje Ninën, vajzën e vogël që po mëson të dojë në gjuhën shqipe. “Zgjohem në mëngjes dhe e çoj në shkollë. Nuk ka gjë më të bukur se sa kur sheh atmoferën e fëmijëve që shkojnë në shkollë. Është gumëzhitje. Është freski. Kam fat që e përjetoj çdo mëngjes”, – thotë krenaria shqiptare, Inva Mula. Sivjet drejtuese artistike e Festivalit të Këngës në RTSH, ajo ndan me ne udhëtimin disa mujor që finalizohet nga nesër në tri netë magjike në Pallatin e Kongreseve. Ndalet gjatë edhe te raporti me dy fëmijët. Kujton pengun e një kohe që nuk mund të ishte nëna e zakonshme për Anthony-n që rritej i vetëm dhe kur mbaronte shkollën nuk e gjente mamanë para portës. Sot i është mirënjohëse që ia doli të mbijetojë dhe të bëhet një djalë i mirë. Vitet kanë kaluar dhe ajo tani pranon edhe tatuazhet e tij, muzikën dhe zgjedhjet e tij, edhe Marian bukuroshe, vajzën që është përkrah të birit.
Nëse dikush mund ta gjejë forcën për të jetuar te një fije bari që lëviz, Inva motivohet nga kurioziteti për jetën. “Ka çaste që pyesim veten: ku do shkoj me këtë vrap, pastaj kuptojmë se janë vetëm hapa drejt së panjohurës”, – thotë Inva Mula, e cila vjen e jashtëzakonshme në këtë rrëfim ekskluziv për edicionin festiv të ‘revistawho.com’.
Inva, na ndajnë vetëm pak orë përpara nisjes së 3 netëve shumë të rëndësishme për ty. Është hera e parë që merr përsipër një detyrë si drejtuese artistike e Festivalit të Këngës, ke drejtuar më parë shumë ngjarje artistike, por për herë të parë në muzikën e lehtë shqiptare. Si ndihesh ti?
Eksperiencë shumë e bukur, por jo e re. E kam filluar karrierën me këngë dhe është diçka që e kam dashuruar gjithmonë, pavarësisht se në një moment të caktuar ka qenë edhe kryqëzim në jetën time, kur i thosha vetes: “do t’i drejtohem këngës apo kantos?”. Është diçka që e kam brenda vetes, jam rritur me të dhe jam shumë e lumtur që eksperiencën që kam në gjithë fushat e artit ta përmbledh dhe ta jap në ndihmë të një festivali të bukur dhe ta ndaj me publikun.
Ke qenë ti që në fillim të përzgjedhjes së këngëve, ke qenë pjesë e çdo etape të këtij festivali?
Sigurisht, nuk mund të bënim festival ndryshe dhe ka qenë madje një kërkesë e imja dhe e ekipit që ne të ishim që në fillim në përzgjedhjen e këngëve, sepse kënga është elementi kryesor dhe ne nuk mund të bëjmë një festival të bukur pa një krijimtari të bukur. Këngët kishin ardhur më herët dhe ne nuk ishim në zanafillën e modelit që do donim në festival. Megjithatë momenti kur morëm këngët ishte shumë vendimtar për të caktuar se kush do të jenë 22 krijimet që do t’i rrisim në këtë aktivitet deri në natën finale, deri në shpalljen e këngës fituese…por nuk është ky qëllimi. Qëllimi është të kemi një krijimtari të bukur, të kemi larmi, të kemi interpretues që të jenë të lumtur me këngët e tyre, për të nxjerrë më të mirën e vetvetes. Është një rrugëtim, nuk mund ta marrësh festivalin në tre netët e fundit, por që në momentin ku nuk duket për publikun.
Për herë të parë këtë vit do të ketë një natë performance. Është menduar që të prekim pak që në ‘Festivalin e Këngës’ skenën e madhe të ‘Festivalit Europian’ me performancën dhe gjithë elementët që e bëjnë spektakolar një numër artistik…
Edhe ky është një element shumë i ri për festivalin tonë dhe unë e kam menduar sikur të isha vetë në festival. Sigurisht dhe unë do ëndërroja të isha pjesë e ‘Festivalit Europian’ dhe pse mos të fillojmë të mendojmë për një performancë në një skenë aq të madhe, secili në vetvete si do dëshironte që kënga të ishte. Duke filluar nga kjo mënyrë e të menduarit atëherë na doli një natë shumë e bukur, një natë performancë, e cila në koncept është e tillë. Shpresoj që të jetë vërtet edhe për publikun diçka e re, por secili do ta ëndërroj veten si do të ishte në një natë ‘Eurovision’-i, në një natë ‘Festivali Europian’. Për ‘RTSH’-në nuk është qëllim vetëm pjesëmarrja në ‘Festivalin Europian’, sepse ‘Festivali i Këngës’ ka ekzistuar shumë më përpara se pjesëmarrja e Shqipërisë në ‘Festivalin Europian’. Megjithatë është dhe një aset shumë i madh, është një shans shumë i madh për të gjithë interpretuesit që ta realizojnë një ëndërr të tillë.
Inva, a mendon ti që ‘Festivali Europian’ i bën mirë apo keq ‘Festivalit të Këngës’? Pak vite më parë shumë pak emra ‘BIG’ ishin pjesë e festivalit, për shkak se çmimi i madh ndahej gjithnjë mes dy prej tyre. Dy vitet e fundit ka një rikthim të këtyre emrave, por sërish gjithë lufta bëhet për ‘Festivalin Europian’, shumë pak bëhet lufta për këngën e mirë, për këngën që i mbetet publikut…
Unë do mendoja ndryshe, do mendoja që një këngë e bukur nuk është se ka një format të përcaktuar për të shkuar në ‘Festivalin Europian’. Ne e kemi keqkuptuar, kemi menduar se kënga ka një tingëllim të posaçëm, një format, një ritëm që i shkon shumë mirë. Do thosha situata ka ndryshuar, është e veçanta që shkon dhe për të qenë një këngë fituese duhet të jetë e veçantë në Shqipëri, duhet të jetë e veçantë dhe në ‘Festivalin Europian’. Në këtë globalizëm sot nuk mund të mendojmë që një këngë e mirë do të jetë vetëm për Shqipërinë. Një këngë e mirë duhet ta mendojmë që të tingëllojë kudo në botë me një tekst shqiptar, e cila është e bukur për këdo lloj publiku.
Çfarë surprizash do të ketë këtë vit ‘Festivali i Këngës’?
Surpriza kryesore do të thosha është ajo e një krijimtarie të bukur dhe unë e mbroj me forcë një gjë të tillë, se nuk dua që festivali të ketë fishekzjarrë të jashtëm që nuk i shërbejnë idesë dhe mbajtjes së kësaj tradite të bukur 57-vjeçare. Do të thosha që surprizat do të jenë të gjitha ato, të cilat e bëjnë një festival që të ketë këngëtarë te rinj, të ketë kompozitorë të rinj, të ketë njerëz që e provojnë për herë të parë, të ketë njerëz që rivijnë mbas shumë viteve, do thosha kjo është surpriza kryesore. Ne kemi dhe dy drejtues të mrekullueshëm të ‘Festivalit të RTSH’, të cilët mendoj se do të jenë një surprizë shumë e bukur, sepse janë dy elementë që do ta lidhin këtë histori të bukur tre ditore. Edhe me të ftuarit jemi munduar të mbajmë një ekuilibër, mos të shkojmë drejt një buxheti pa sens, por të kemi njerëz të cilët vërtet i shërbejnë skenës shqiptare, që dhe publiku ka dëshirë që t’i dëgjojë.
Ana Golja dhe Viktor Zhusti janë përzgjedhje e jotja?
Absolutisht janë përzgjedhja ime, pasi Ana Golja është një vajzë shqiptare e lindur në Toronto, por shumë e amerikanizuar. Përveçse është një artiste e formuar, gjithë kohës së adoleshencës së saj ka luajtur filma me shumë sukses, është një yll në Kanada, por një yll në Kanada që shqiptarët nuk e njohin. Unë mendoj që shqiptarët në momentin që flitet diku që ajo është shqiptare ndihen shumë krenarë dhe pse mos ta njohin talentin e Ana Goljas tani. Ana Golja është në një shpërthim të madh botëror, ajo së shpejti do të nxjerrë dy filma kinematografikë. Do të vijë me një shtëpi diskografike të sajën, është dhe producente jo vetëm në krijimtari, por edhe për të promovuar artistë të tjerë, pra është një artiste e re shumë e formuar dhe do jetë një shembull shumë i mirë për të gjithë të rinjtë shqiptarë dhe jo vetëm. Unë mendoj që është një brez i bukur i fëmijëve shqiptarë, shqiptarëve që kanë emigruar. Fëmijët që kanë lindur jashtë ne duhet t’i mbajmë pranë, për arsye se është një potencial i jashtëzakonshëm për kombin tonë. Jam e bindur që me një ‘alo’ këta fëmijë do të rikthehen në Shqipëri për të dhënë një kontribut. Për të folur për Viktor Zhustin për të cilin unë kam një simpati të madhe, për një aktor të mrekullueshëm, i cili nuk u thye nga koha. Përkundrazi Viktori në çdo moshë, në çdo etapë të jetës së tij ka një sharm. Dikur mendoja se vinte nga sytë e bukur, por tani mendoj se vjen nga brendësia e shpirtit. Ky kombinim i Viktorit me Anën, që janë shumë larg në moshë do t’i sjellë pranë për të na dhuruar netë të bukura, të pa programuara, por me shumë shpirt, me shumë art dhe mendoj se këto do jenë një surprizë e bukur e festivalit.
Do të ndërpres pak nga seti fotografik për të të bërë dy pyetje të tjera lidhur me marrëdhënien që ke ti me shtëpinë. Je një njeri që e pëlqen shtëpinë, që kërkon të shpenzosh kohë në të?
Jam shumë shtëpiake. Domethënë shtëpiake në kuptimin që shkoj ku shkoj dhe kur kthehem në shtëpi them kjo është jeta, është bota, ngrohtësia. Aty fillon dhe mbaron gjithçka.
Ty të pëlqen të merresh vetë me të gjitha dekorimet?
Absolutisht! Është hobi im të merrem me dekorim. Madje them në një karrierë tjetër do bëj edhe dizajneren, për arsye se merrem shumë edhe më pëlqen.
https://www.instagram.com/p/BrlLAPJFD5Z/
I ke zgjedhur vetë të gjitha mobiljet?
Po!
Merresh me punë shtëpie?
Jo! Me punë shtëpie nuk merrem se nuk kam kohë, por nëse nevojitet pse jo!
Të pëlqen të rrish në kuzhinë për shembull, të gatuash për personat e tu të dashur?
Më pëlqen të gatuaj, por jo të rri në kuzhinë. Më pëlqen të gatuaj shumë shpejt me gjëra që i kam të rastësishme se them vetëm atje ka krijimtari. Nëse i programon gjërat nuk ke krijimtari, duhet të vazhdosh në një rutinë e cila nuk më pëlqen. Kam qejf të krijoj ndoshta dhe me të pamundurën.
Si e gjejnë Inva Mulën festat e fundvitit?
E gjejnë gjithmonë me aktivitet. Pas ‘Festivalit të Këngës’, nisem në një festival tjetër të rëndësishëm në Zvicër, ku jam pjesëmarrëse për të pestin vit. Do t’i kaloj ditët gjysmë festa, gjysmë pushime dhe punë.
Të pëlqen kjo atmosferë?
Më pëlqen dhe besoj se i pëlqen çdo njeriu. I pëlqen çdo njeriu, sepse të gjithë gjejnë fëmijërinë në këto festa dhe ka një lloj solidariteti mes njerëzve, nëpërmjet dhuratave, shkëmbimit të një muzike të bukur, ndarjes së një tavoline me njëri-tjetrin dhe do thosha sa e bukur do ishte jeta sikur të ishte gjithmonë e tillë.
Inva, vitet e fundit të shohim gjithmonë e më shumë prezente në aktivitet shqiptare, që nisen dhe drejtohen nga ty. Vjet ka qenë një vit shumë i rëndësishëm për Inva Mulën, ke drejtuar një shfaqje për talentet e rinj, ke mbajtur një festival që e ke ideuar vetë në Korçë dhe besoj se do jetë një traditë që do të vazhdojë. Gjithnjë e më shumë prezente në Shqipëri, çfarë të mban lidhur me këtë vend?
Të paktën për dy dekada sa herë që vija, gazetarët më thoshin ti nuk je aq prezente në Shqipëri, kishin dëshirë që unë të isha më shumë. Nuk e kam bërë se nuk kam pasur dëshirë, dëshirën e kam pasur gjithmonë, por nuk kam pasur kohë fizike. Duke qenë se në këtë moment për arsye familjare, unë dua ta ndaj kohën më shumë me familjen time atëherë i dhashë kohë më shumë vetes. E fillova me një projekt dhe ai projekti më tërhoqi në një tjetër. Projektet e mia në Shqipëri vijnë fare natyrshëm dhe i bëj me shumë dashuri dhe mbi të gjitha kam një lloj detyrimi që gjithë eksperiencën time ta ndaj në Shqipëri dhe ja vlen, sepse talentet këtu nuk mungojnë dhe eksporti më i bukur shqiptar është eksporti artistik.
Vajza jote po shkollohet këtu, në një shkollë gjysmë amerikane, gjysmë shqiptare, por gjithsesi është në një ambient tërësisht shqiptar. Je e lumtur ti që Nina flet gjithmonë shqip dhe ka miq shqiptarë?
Në fakt unë e mendoj Ninën shumë internacionale, ashtu siç shikoj edhe veten. Asnjëherë nuk kufizohem atje ku po rri, e shikoj veten në një lëvizje të madhe dhe fëmijët e sotëm duhet t’i mendojmë të tillë. Jam e lumtur që Nina po perfeksionon shqipen, pavarësisht se ajo nuk ka lindur dhe nuk ka ndenjur në Shqipëri, por këtë vit besoj se ka një shqipe shumë të bukur dhe ka miq siç ka kudo në botë, ka dhe miq shqiptarë dhe është shumë mirë.
Çfarë dëshirash ka mami Inva për Ninën?
Problemi është që dëshirat tona, nuk realizohen asnjëherë tek fëmijët dhe them që nuk duhet të realizohen. Fëmijët duhet të formohen, të ndikohen pozitivisht nga prindi, por nuk duhet të shtyhen të bëjnë diçka që nuk e kanë me pasion dhe me dashuri. Atë që kam kuptuar nga edukata që kam marr është të përkrahim fëmijët edhe nëse zgjedhin diçka që ne nuk na pëlqen, sepse fëmijët kanë ardhur mes nesh, por nuk janë tonët.
Atmosferën e festës Nina si e përjeton, pret dhurata? Është protagonistja kryesore e familjes dhe unë e kam parë këtë gjë…
Nina e shijon dhe beson akoma tek babagjyshi. Derisa besojmë tek babagjyshi jemi akoma te vegjël, në momentin që s’besojmë më fillojmë dyshojmë për shumë gjëra në jetë.
Besoj që jemi ende të mirë kur besojmë te babagjyshi?
Po besojmë se babagjyshi vjen nëse ne kemi qenë të mirë, kemi qenë të denjë që babagjyshi të kalojë, prandaj kjo na bën më të mirë.
Ndërkohë Anthony ka marrë një rrugë shumë të bukur, siç është muzika. Ai studion në Francë, punon atje me një shtëpi diskografike. Sa krenare është mami Inva sot?
Jam krenare në radhë të parë që është një djalë i mirë. Një djalë, i cili nuk më ka nxjerrë asnjëherë asnjë problem. Jeta ime ka qenë dhe është shumë aktive, nuk kam qenë një mama e zakonshme që shkoja në çdo moment ta prisja në shkollë, të isha me atë të bëja mësimet dhe e kam pasur si plagë që nuk arrija dot të isha pranë djalit tim. Në këto kushte kam njohur edhe fëmijë të kolegeve të mia, të cilët kanë marrë një rrugë jo të mirë. Falenderoj Anthony-n për këtë gjë, sepse ka ditur të sillet, ka ditur të mbijetojë vetëm edhe kur ka qenë shumë i vogël. Por të qenurit muzikant, artist, është zgjedhje e tij, prapë nuk është një detyrim, përkundrazi unë nuk do doja që Anthony të ishte artist pasi e njoh çmimin e sakrificës. Por Anthony e zgjodhi vetë. Tani që e zgjodhi vetë unë jam krenare për arsye se zgjodhi një profesion, i cili është në dejet e tij, një profesion që atë e bën një njeri të lumtur.
Ai ka thënë që e vetmja pikë ku nuk takoheni janë tatuazhet dhe unë do doja ta dija në të vërtetë se si i përjeton mami Inva të gjitha ato imazhet që Anthony ka gdhendur në trup?
Vërtet ndoshta nuk jam brezi i tatuazheve, sepse dikur, në kohën e rinisë sonë, mendohej që një djalë që kishte tatuazhe ishte një njeri shumë i fortë, prandaj ka ngelur ndoshta në mendjen time. Duke insistuar tek djali që mos vazhdo më me tatuazhet, atij ju kthye në një art në një mënyrë të jetuari dhe e pashë që nuk e ndaloja dot. Momentin që nuk e ndaloj dot fillojnë të më pëlqejnë, sepse kur e pranon diçka atëherë nuk je më në konflikt me veten dhe personin që ta shkakton këtë konflikt. Prandaj tani kanë filluar të më pëlqejnë, por nuk ja kam thënë dhe ndoshta përmes jush ai do ta mësojë që unë nuk jam më kundra. Dikur i thashë të paktën lëre një krah që ta kesh për mamin, e pashë që dhe krahu u mbush edhe tani e inkurajoj që të jetë i lumtur në këtë formë që ai e ka menduar trupin e tij. Por më ka thënë edhe diçka shumë të bukur, i them “po mirë tani se je i ri, i bukur, i freskët, po si do ja bësh më vonë?”. Më thotë: “mami mos u bëj ti merak se të gjithë pleqtë e gjeneratës sime do jenë me tatuazh”.
Ai ka ardhur disa herë në Tiranë me partneren e tij. Si është marrëdhënia e mami Invës, ndoshta jo me nusen e ardhshme, po me të dashurën e Anthony?
Maria është një vajzë e re franceze që nuk ka lidhje fare me një vajzë shqiptare. Maria mund të hyjë dhe të dali dhe harron që ka një njeri këtu, domethënë është një lloj indiference që lidhet me karakterin, mënyrën e jetesës. Ajo vjen nga një qytet në veri të Francës, afër oqeanit, afër Anglisë, domethënë njerëzit janë shumë më pak ekspresiv, ose të themi ekspresiv ndryshe, jo si ne me gjeste, me temperament, etj. Për momentin është një shoqe shumë e mirë, e cila i sjell Anthony-t një qetësi shpirtërore, frymëzim, është muzë për atë se është vajzë shumë e bukur, shumë ‘trendy’. Prandaj mjafton që t’i shikoj kështu të lumtur… Më mjafton, nuk thellohem më shumë.
Si është dita e Inva Mulës?
Kam pasur fatin që ditët e mia të mos i ngjajnë njëra-tjetrës. Momentin që ditët kthehen në rutinë atëherë them që ka një problem. Ditët janë të ndryshme, por ajo që i bashkon ditët e mia të javës është zgjimi i herët në mëngjes pasi çoj vajzën në shkollë, nuk ka gjë më të bukur. Nuk ka gjë më të bukur kur ti shikon atmosferën e fëmijëve që shkojnë në shkollë, është një gumëzhitje, është një freski, është një dëshirë për të mësuar, për të luajtur, për të takuar njëri-tjetrin, një atmosferë që nuk ta jep asnjë ambient tjetër. Kam fatin që ta përjetoj çdo mëngjes dhe them që jam e lumtur kështu.
Kjo është ajo që të bën të lumtur? Çfarë të bën të lumtur?
E kam thënë dhe herë tjetër, po dua ta përsëris se është lajtmotiv i jetës sime…e gjej lumturinë në detaje të vogla edhe jam e lidhur me lumturinë e gjërave të vogla, atje ku të tjerët nuk e shikojnë.
Më ke treguar njëherë një histori të një artisti që kishte humbur të gjithë familjen në një nga luftërat civile edhe ai të pat rrëfyer që e gjente motivin edhe tek hija e barit që lëviz. Po Inva Mulën çfarë e motivon?
Kurioziteti për jetën. Është kurioziteti ai që të çon përpara, ai që të bën që asnjëherë të mos jesh komod me çfarë ke bërë, po ta kërkosh jetën si diçka që nuk mbaron asnjëherë dhe ti duhet të rendësh. Ka momente kur bëjmë një analizë me veten tonë dhe themi “po ku do shkoj me këtë vrap që po bëj?”. Në fakt nuk është vrap, është një ecje me hapa të mëdha, ky është kurioziteti për jetën. Është ajo që ne shkojmë drejt të panjohurës, janë sfidat që ne i vëmë vetes përpara, jo sfida në raport me të tjerët, sfidën kryesore e kemi me vetveten. Në momentin që sfidojmë veten duke marrë përsipër diçka që kemi besim që e realizojmë, kur e shikojmë që realizohet nuk ndjejmë kënaqësi, sepse duhet të shkojmë drejt një projekti tjetër. Mendoj që ky është motorri i jetës sime.
Çfarë të mërzit Inva?
Mosmirënjohja! Më mërzit pasi e kam në parimet e mia të ndihmoj pafundësisht në çdo drejtim me mundësitë që kam, madje të ndihmoj edhe njerëz që nuk i njoh fare. Nuk kërkoj të më kthehet diçka, por kërkoj të mos kthehet në të kundërt ajo që ti bën të paktën për miqtë e tu.
Je zhgënjyer?
Shumë herë…pafundësisht!
Dhe çfarë bën? Ke vendosur mure mbrojtëse apo vazhdon lufton?
Në momentin që zhgënjehem vendos një mur të hekurt që nuk hapet më për atë njeri. Ndoshta është dhe ky defekt se nuk të fal, por mendoj që duhet të dish edhe kë të falësh, sepse dhe falja nuk ka vlerë kur ti fal aty ku nuk ja vlen. Prandaj kam zgjedhur murin e hekurt.
Çfarë urimi do t’u bësh ti shqiptarëve përmes kësaj interviste?
Sigurisht është ajo që ne duam, të shikojmë çdo njeri të lumtur. Ecja sot me makinë dhe pash prindër me fëmijë edhe u sensibilizova me një fëmijë që qante dhe mendova sikur bota të ishte e tillë që asnjë fëmijë në botë të mos vuajë. Kur rritemi ndoshta kemi disa shtresa që mund ta përballojmë, por kur jemi të vegjël nuk e meritojmë, kështu që urimi im do të ishte që fëmijët të jenë të lumtur kudo që janë.
I lutesh ti Zotit Inva?
Sigurisht që po!
Për çfarë më shumë?
Pikërisht për këtë që thashë më parë. / revistawho.com