[metaslider id=204]
Nga Ervin Kurti
Këtë shtator, emblema e humorit shqiptar, roleve në teatër e kinematografi, festoi përvjetorin e 30-të të martesës së saj. Mes trokitjeve të gotave, batutave të çastit e magjisë së dritës së qirinjve të një restoranti diku në Tiranë, mblodhi si dikur ata të tre, Marjanën, Tritanin (bashkëshortin), Suanën (vajzën), por pa Tërrin (se nuk lejoheshin qentë në lokal). Ajo natë u vesh e gjitha me një tis nostalgjie, e mbështjellë me dozat e vogla të ngacmimit që i bënin njëri-tjetrit. Ka qenë viti ‘82, kohë në të cilën Marjana kalonte pushimet e saj në plazhin e Durrësit, kur rastësisht shkëmbeu shikimet e para me një djalë, e ku më vonë zbuloi se ai plotësonte kriteret e bashkëshortit të ardhshëm të saj. Dashuria dhe përkushtimi zunë vend mes tyre, duke bërë që edhe sot e kësaj dite ata të duhen po njësoj, duke kompensuar njëri-tjetrin, mes logjikës e ftohtësisë së Tanit dhe rrëmbimit e pasionit të Marjanës. “Partneri për mua është si puna e lotarisë, fati deshi që shorti të më binte mua dhe e fitova. Vajzës i uroj të ketë vetëm gjysmën e fatit tim dhe unë do jem e qetë”, – pohon Marjana. Aktorja me një arsenal rolesh në filma, parodi, sitcom, teatër, seriale televizive, kujton se Tani nuk e shoqëronte shpesh në aktivitetet e saj, por ama, kur kthehej në shtëpi e kishte për “detyrë” të shpjegonte me dy fjali emocionet e shfaqjes së radhës. “Ai nuk e ka dashur asnjëherë jetën mediatike timen, ka qenë gjithnjë i tërhequr dhe shijonte sukseset e projekteve të mia në distancë. (Mos t’i mbetet qejfi, por është pak dembel nga natyra dhe përton të lëvizë.) Ndaj e kam respektuar këtë zgjedhje të tijën, sikurse edhe ai timen, që të mos kem limite ndaj punës sime”, – na sqaron Marjana me batutën që e ka në majë të gjuhës. Nata e 3 shtatorit, shpluhurosi nga kujtimet edhe bibliotekën e stërmadhe që Marjana gjeti në shtëpinë e bashkëshortit të saj. Kujton marrëdhënien me vjehrrën, vjehrrin e saj dhe përgjigjen e këtij të fundit, frymëzuar prej fundit që pësoi personazhi kryesor i librit “Harku i Triumfit”, se, në ndjenjë nuk ekziston asnjëherë faji. Vështirësitë e jetës dhe forma se si i ka përballuar ato, aktorja 53-vjeçare i shpjegon me simbolikën e shkëputjes së një libri nga biblioteka e shtëpisë së saj. “Sikur një libër të shkëpusësh nga biblioteka, kupton se ç’është jeta”, – citon ajo. Lindja e vajzës ka qenë dita më e lumtur për ta, edhe sot që ajo është bërë një zonjushë plot hire. Marjana kujton raportin e saj me nënën, pikën e saj më të dobët, ajo që e përlot sa herë flet për të. Është njeriu që e ka frymëzuar dhe i ka dhënë mundësinë të kuptojë se ç’është familja dhe dedikimi ndaj saj, dashuria dhe sakrificat që një nënë duhet të bëjë për fëmijën. Humbja e nënës disa vite më parë, i shkaktoi Marjanës një krisje të fortë të besimit se jeta ishte e padrejtë me njerëzit më të dashur, por iu desh ta rifitonte edhe një herë atë besim, falë këmbënguljes së Tanit dhe Suanës. Pas 30 vitesh bashkëjetesë, Marjana pohon me plot bindjen se nga ky raport ka përftuar mirëkuptimin, tolerancën dhe formimin e njëri-tjetrit në një marrëdhënie. “Tashmë logjika dhe qetësia e Tanit, janë brendësuar tek unë dhe funksionojmë si një njeri i vetëm, por me personalitete të ndara”, – vazhdon rrëfimin e saj, aktorja me mbi 32 vjet në skenë. Marjana ruan ende korrespondencën e letrave mes saj dhe bashkëshortit, kur ky i fundit bënte specializimin e tij në Gjermani, në prag të ndërrimit të sistemeve. Teksa i lexon, ndihet malli dhe dëshira e pakursyeshme për të qenë së shpejti të bashkuar, duke sfiduar në këtë mënyrë vështirësitë e distancës. Miqtë që kanë shoqëruar rrugëtimin e çiftit, sot nuk janë më në Shqipëri dhe kontaktet mes tyre, më së shumti janë virtuale sesa reale. “Më mungon ajo kohë kur mblidheshim të gjithë bashkë, në familjet e secilit, kur festonim çdo festë familjare, dhe e mbaj mend që këtë gjë mezi e prisnim. Por tani duhet të mësohemi me çka na ofrohet. Mjafton të jenë mirë atje ku jetojnë, pasi emigrimi dhe kohët moderne i kanë këto”, – përfundon Marjana, që nuk lë pa kontrolluar pak “Instagram”-in e saj. Është mjaft aktive dhe nuk i shpëton gjë pa komentuar. E ka një antistres dhe mënyrë shumë të mirë për të qenë në kontakt me njerëzit. Fryrja e qirinjve të tortës së 30-vjetorit të kurorëzimit të martesës së saj, shënoi hyrjen e një dekade të re në jetën e tre pjesëtarëve të familjes Anamali. Aktualisht, Marjana vazhdon projektet e saj me role në teatër, bashkëshorti i saj me biznesin e tij, ndërsa vajza si juriste. E meqë jemi në muajin shtator, i cili shënon dhe përvjetorin e vdekjes së Nënë Terezës, ajo vendosi ta mbyllë rrëfimin e saj me disa vargje nga thënia e famshme e krenarisë së shqiptarëve mbi jetën:
Jeta është një shans, përfito prej saj!
Jeta është e bukur, admiroje!
Jeta është lumturi, shijoje!
Jeta është jetë, lufto për të!
Discussion about this post