Në çdo kohë gratë kanë pasur një rol kyç në shoqëri, sepse gjithmonë kanë pasur në dorë jetën dhe të ardhmen e një vendi. Gjatë historisë shumë gra të fuqishme kanë shërbyer si një burim frymëzimi për t’u dhënë shembull gjithë të tjerave si duhet të bëjnë përpara. Në shumë raste ka mjaftuar një mesazh i thjeshtë si një mekanizëm për t’u dhënë forcë të gjitha të tjerave. Të tilla mesazhe kanë qenë të shumta edhe nga ana e grave dhe vajave të njohura shqiptare, për të kuptuar se fuqia e femrës është e pandalshme. Në ‘Ditën Ndërkombëtare të Grave’ ne kemi përzgjedhur 10 mesazhet më frymëzuese të personazheve VIP, për t’ju kujtuar dhe njëherë se femrat duhet të ndihen të barabarta në shoqëri dhe se duhet të dinë si të vlerësojnë veten.
Aurela Gaçe
Të dashura ne jemi të bukura ashtu siç jemi sepse trupat tanë kanë mbajtur jetën e re, zoti na ka bekuar me këtë mundësi. Ne duhet të jemi të shëndetshme, të forta për fëmijët tanë. Të jemi të lumtura për vete, për familjen dhe shoqërinë. Me sport më besoni që çlironi energjitë negative që duam s’duam i marrim sepse jemi njerëz. I bëjmë shërbimin më të mirë shëndetit tonë. Edhe fëmijëve ju japim forcë të mos dorëzohen për asgjë në jetë. Mos lejoni asnjë t’ju tregojë të kundërtën. Ne nënat jemi të bukura me çdo shenjë në trup, me celulit, me tule. Zoti e di pse na e dha ne këtë mundësi, sepse e di ai që ne jemi luanesha.
Albana Osmani
Brenda çdo gruaje, ka një vajzë të çmendur. Dhe të gjithë ne e dimë se për çfarë po flas. Ajo pjesë e jotja që është e pasur me pasiguri, frikë dhe marrëzi absolute! Shikoni cilëndo femër dhe do të shihni një femër që lufton çdo ditë, duke përdorur armët e saja në luftë, çdo ditë! Nuk është asnjëherë e lehtë të jesh një femër! Dhe po të mund ta godisnim atë çmenduri dhe pasiguri prej vajze nga vetja, atëherë do të bënim ndryshim të madh!
Eni Çobani
Femrat janë të forta dinë të kalojnë shumë vështirësi prandaj asnjëherë mos ulni kokën, mos lejoni t’ju përdorin, qëndroni me kokën lart dhe tregoni gjithsecilit vendin ku e ka. Mos u bëj një femër që ka nevojë për të pasur pranë një mashkull. Bëhu një femër, për të cilën një mashkull ka nevojë ta ketë pranë!
Inis Gjoni
Vetë evoluimi i femrës ka bërë që meshkujt të ndihen inferiorë, pasi femrat mund t’ja dalin si mami ‘single’, janë më tepër të shkolluara, kanë mençuri, aftësi për të thithur informacion, pra nuk janë të cekëta. Femra del më lart dhe në fund dalim në konkluzionin se meshkujt janë ata që hedhin botën në erë, ndërsa femrat janë gjithmonë të kujdesshme!
Tuna
Unë jam krah vajzave që flasin pistë. Ato me këmbë të zbathura, mendje brilante, flokë të shpupurisura, zemra të egra dhe plot gjallëri. Me ato që nuk frikësohen të flasin dhe që jetojnë për të bërë atë që u është thënë se është e pamundshme! Me ato që nuk kanë frikë të ngrenë zërin…unë jam me ju Chongas… Le t’i mbështesim femrat e këqija.
Rozana Radi
Në të gjitha jetët po të më kthenin përsëri do zgjidhja të isha grua. Në fund të fundit, ne dimë mirë se suksesi apo dështimi varet vetëm nga vendimet që ne marrin. Kam mësuar të mos i dëgjoj mendimet e atyre që nuk kanë përvojën e duhur, por dëgjoj vetëm ata, të cilëve u kam kërkuar një këshillë. Nuk kënaqem kurrë me pak. Nuk kam frikë që zëri im të dëgjohet. Nuk kam nevojë për një burrë për t’u ngjitur në karriere. Jeta na ka mësuar të vazhdojmë përpara dhe pse ka qenë e vështirë. Mos ja lejoni kurrë vetes të jeni opsion i një burri. Dhe mos lejoni plagët që keni marrë në jetë t’ju transformojnë në dikë që nuk jeni.
Eneda Tarifa
Mbas një lufte të madhe me veten “ta heq apo mos ta heq puçrrën në ule të ballit”, vendosa ta mbaj. Në fund të fundit, kush të do, të do siç je. Janë imperfeksione të këndshme dhe njerëzore. Duaje veten femër.
Sonila Meço
Është një kohë për të folur për gratë, për vajzat. Është kaq e nevojshme. Sërish janë hapur edicionet informative me një burrë që vret gruan, “besoja se më tradhtonte”. Është koha për të folur për gratë sepse mesa duket nuk e kanë kuptuar ende se çfarë jemi të afta të bëjmë dhe çfarë na takojmë të bëjmë. Dhe sa herë që flasim për këto gjëra, mund të duken të bezdisshme, të mërzitshme çështjet e barazisë gjinore, por mesa duket ka nevojë t’ua themi se nuk po e kuptojnë.
Emina Çunmulaj
Unë në fund të fundit mendoj se një femër që nuk e respekton veten, që nuk tregon vetveten, nuk do ta respektoj as mashkulli. Edhe pastaj ti nuk e ndjen veten te fuqishme, nuk e ndjen veten mirë, ti je sepse ai të ka bërë. Unë jam ajo që jam, sepse ja kam dalë vetë. Është krenaria dhe gëzimi im. Nuk jam kështu për shkakun tënd, apo sepse ti më dhe diçka. Nuk kam nevojë t’i them askujt faleminderit, përveç vetes.
Orgesa Zaimi
Sot ka shumë presion mediatik apo edhe shoqëror për femrat menjëherë pasi lindin qofshin persona publik ose jo. Ç’është kjo mani kaq e madhe dhe gati-gati shantazhuese që menjëherë pasi lind duhet të jesh më e dobët se më parë. Mund t’ju them me bindje se këtë herë të dytë pas lindjes nuk kam ndërmend të strapacohem edhe pse këtë herë kam rënë vetë në mënyrë natyrale në peshë, mbase sepse të kesh dy fëmijë të vegjël të bën të harxhosh shumë energji. Dua t’u them të gjitha femrave që mërziten nëse nuk dobësohen pas lindjes ose kanë merak; Hani çfarë të doni dhe shijojeni këtë periudhë sepse nga pesha bie për një muaj, por qumësht nuk prodhon dot gjithë jetën…Ne sjellim jetë, kemi nevojë për më shumë kile. Fuqia e gruas. /revistawho.com