Aktorja e njohur e skenës shqiptare, Pranvera Veizi ose e njohur ndryshe si ‘Vera e Beratit’ është rikthyer pas një shkëputjeje të gjatë në projektin kinematografik të Ermal Mamaqit ‘I love Tropoja’.
Pasditen e sotme ajo ka qenë e ftuar tek Rudina së bashku me partnerin e saj, për të rrëfyer gjithë rrugëtimin e saj gjithë këto vite.
Ndër të tjera ajo tregoi dhe punën dhe angazhimet që ka pasur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Para disa viteve kisha një spa në Amerikë, por kishte shumë punë dhe angazhime, ndaj vendosa ta mbyllja. Tani kam një dyqan, punoj vetë, kam edhe disa vajza që punojnë për mua”, tregoi Vera gjatë bisedës ndërsa Valentini shtoi se ajo ka përfunduar një shkollë për estetiste me rezultate të shkëlqyera në Amerikë dhe biznesi i ri ecën shumë mirë. Më tej Vera tregoi e emocionuar arsyen e vërtetë dhe ndjesinë e saj kur vendosi të shkëputej nga aktrimi.
“Unë mbeta shtatzënë me vajzën një vit pasi kishim shkuar në Amerikë dhe atje nuk është si këtu. Kur linda djalin këtu kisha mamin, motrat që më ndihmonin. Këtu ta mban fëmijën edhe komshija, kurse atje është e pamundur. Unë e provova me disa aktivitete të vogla, por ishte e lodhshme të udhëtoja. Pastaj edhe pse jam e qeshur jam shumë e ndjeshme. Sa herë mendoja për Shqipërinë, për mamin, babin, motrat, prekesha dhe thashë, unë duhet ta mbyll një kapitull dhe të nis një të ri”, u shpreh Vera.
Më tej aktorja e njohur tregoi se të bërit gjyshër i ka bërë shumë të lumtur dhe i ka dhuruar emocione mjaft të veçanta.
Tashmë djali i tyre është martuar dhe është bërë me fëmijë, ndërsa vajza 20-vjeç vazhdon studimet për shkenca politike.
Kujtojmë se Vera luajti rolin e mamasë së Ermalit në film, ndërsa Valentini realizoi muzikën e tij./revistawho.com