Keni provuar pica të ëmbla, me reçel, nutella apo me shije të ndryshme frutash? Ende jo!? Ja ku vjen picajoli shqiptar që të bën të lëpish gishtat jo vetëm me picat e kripura, por edhe ato të sheqerosura. Ai është padyshim i talentuar dhe këtë e dëshmojnë shumë çmime e trofe në shtëpinë e tij. Luan Sherifi është një tjetër shqiptar i cili ka dëshmuar se falë talentit, punës këmbëngulëse dhe pasionit mund të shkëlqesh në vend të huaj pa ndërhyrjen e asnjë “miku”. Dhe në fakt ka shkëlqyer! Kushdo që ka provuar picat e bëra prej tij, jo vetëm është dashuruar, por është shndërruar në klientin më besnik të restorantit “Portico”, vend në të cilin Luani punoj prej vitesh. Ka mbërritur në Itali para 20 vitesh, pa asnjë busull orientimi, por me synime të qarta për ëndrrën e tij, të bëhej dikushi. Fillimisht nisi punën si ndihmës në picerinë ku po punon aktualisht në Cesena, Itali. Italishtja e çalë që ai thuajse zotëronte nuk ishte në favorin e tij shtuar kësaj edhe faktin që ishte pa asnjë eksperiencë. Pak nga pak, Luani tregoi me vigjilencën që e karakterizonte se në këtë punë ai mund të kishte kontribut edhe në aspektin krijues, pra për të kishte ardhur koha të prodhonte picat e tij. Ndërkohë përpos pozicionit të ndihmësit, Luani ndoqi një kurs të reçelërave pa gluten dhe si barman. Me pak fjalë CV-ja e tij po kompletohej dita-ditës. Pasi prodhoi picat e para, menjëherë u shndërrua në profesionit pasi shtimi i klientelës dhe kënaqësia që vinte prej tyre konfirmonin suksesin e punës së bërë. “Il Portico” për të është si një shtëpi e dytë ku ka kujtime, pasazhe të këndshme e jo të tilla, sfida e momente të vështira dhe histori suksesi. Kapaciteti i restoratit është mbi 300 persona dhe për të është totalisht e përballueshme. Për Luanin ka shumë rëndësi klienti. Kampioni i kategorisë “Pica të ëmbla’, ka në rrugëtimin e tij rreth 11 pjesëmarrje kombëtare e ndërkombëtare në gara e konkurse ku padyshim secila prej tyre ka shërbyer si eksperiencë më vete. Luani ka ndërmend që së shpejti të ketë restorantin e tij me produktet e zonës e në këtë mënyrë misioni që ai nisi të lejë një gjurmë. Nuk ka lënë jashtë vëmendjes as kurse te tjera specializimi pasi Luani është mëse i ndërgjegjshëm se një përgatitje e mirë teorike, manifestohet suksesshëm edhe në praktikë. Picat e tij janë plot ngjyra, me fruta e zbukurime që zakonisht shihen si ekskluzive vetëm në restorantet më prestigjoze dhe gati-gati të paarritshme për kontekstin shqiptar. Sa i takon këtij të fundit, Luani nuk e ka lënë pas dore edhe vendlindjen e tij dhe kthehet hera-herës si një vokacion i brendshëm që e mban lidhur me tokën mëmë. Djaloshi shqiptar është pikasur edhe nga mediat italiane për kreativitetin që ai përdor në pica. Janë të shumtë artikujt që nxjerrin në pah jo vetëm talentin e tij, por edhe faktin që ai është shqiptar, tanimë, më shumë se kurrë! Është një natyrë mjaft e thjeshtë, edhe pse i ndërgjegjshëm për unikalitetin e artit që ai ka në kuzhinë, sërish nuk “fluturon” pasi është realist dhe me këmbë në tokë. Ka ende shumë për të mësuar!