Minifundet nuk do të jenë më të lejueshme në zyrë. Ky lajmërim u drejtohet punonjësve të Njësise Bashkiake në Nieuw West, një prej rajoneve më të mëdha të Amsterdamit, e mes më të populluarve me emigrantë myslimanë. Madje, mund të jetë pikërisht ky, shkaku që qëndron pas “e-mail”-it të drejtuesve; të mos cënohet ndjeshmëria e islamikëve! Qarkorja e brendshme – shkruan “Corriere della Sera”, – ka shkaktuar polemika. Komuna e kryeqytetit më të hapur të Europës është vënë në shënjestër të batutave, ironive dhe sulmeve të shumta në rrjetin social ‘Twitter’. Lëvizje të djathta flasin për nënshtrim ndaj Islamit, duke shtuar se ekziston një tjetër paralajmërim edhe më i rëndë, që u është dërguar punonjësve, me kërcënime për marrjen e masave administrative për ato që do të guxojnë të shkelin urdhëresën. Në përpjekjen për të qetësuar gjakrat, komuna ka bërë një hap të dytë duke theksuar se, njoftimi kishte qëllim sqarues pas një diskutimi të brendshëm, dhe se minifundet nuk do të ndalohen. Një televizion privat u përpoq të hidhte më shumë dritë mbi rastin. Sipas tij, shkak është bërë veshja e një minifundi shumë të shkurtër nga një nëpunëse civile, që ka detyruar komunën të paralajmërojë punonjëset për t’u veshur në mënyrë më të përshtatshme. /Top Channel